Për një paradigme të re

Sot shqiptarëve u duhet një vizion i ri. Ata duhet të ketë institucione funksionale dhe funksionarë të pakorruptuar. Për mbrothësinë kombëtare nuk mjafton vetëm lavdia e së kaluarës, por as të mohohet kjo lavdi, sepse kush nuk e respekton sakrificën e atyre që punuan e sakrifikuan për lirinë dhe për mbrothësinë kombëtare, nuk e meriton lirinë. Përderisa me të kaluarën duhet të merret historia, me të tashmen dhe krijimin e strategjisë afatgjate duhet të merren mendimtarët dhe ta jetësojnë politikanët.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Vizioni i Rilindjes Kombëtare

Veprimtarët e Rilindjes Kombëtare themeluan koloni, botuan revista, gazeta, libra dhe punuan për themelimin e shkollave kombëtare, me qëllim që t’i afirmonin idealet dhe vlerat shqiptare, që ta zgjonin vetëdijen kombëtare dhe ta lartësonin kombin kulturalisht, sepse një popull pa vetëdije të zgjuar kombëtare nuk mund të ishte i lirë dhe as të mëtonte ta kishte shtetin e pavarur. Shqiptarët, vetëm nëpërmjet lartësimit kulturor, mund të uleshin në tryezën e popujve të qytetëruar.

Rilindësit ia zgjuan shqiptarit krenarinë kombëtare, sepse një popull pa krenari kombëtare nuk e meriton lirinë. Një popull robërohet lehtë kur vetëpërçmohet. Populli i vetëpërçmuar e mbiçmon robëruesin e tij, kurse robërinë e pranon si fat të paracaktuar. Populli i vetëpërçmuar beson se të tjerët duhet ta emancipojnë dhe ta qytetërojnë. Kështu, ai e pranon robërinë dhe nënshtrimin me vetëdëshirë, i bindur se e bën gjënë e duhur. Gëte tha: “Nuk ka skllav më të pashpresë sesa ai që edhe në robëri beson rrejshëm se është i lirë”.

Që ta nxjerrësh një popull nga kthetrat e nënshtrimit, më parë duhet t’ia ngjallësh vetëbesimin dhe ta çlirosh së brendshmi. Ai duhet të bindet dhe të besojë se kultura e tij është e vlefshme, siç tha Tejlori. Kjo arrihet nëpërmjet kulturës, arsimit, por edhe politikës dhe ekonomisë.

Rilindësit shqiptarë punuan pareshtur, edhe kundër përçarjeve brendashqiptare, sepse e dinin që një popull i përçarë dhe i mashtruar me aleanca të rrejshme robërohej lehtë.

Në planin politik shqiptarët disa herë i ndryshuan prioritetet, në varësi nga rrethanat ndërkombëtare. Në fillim kërkuan autonomi të viseve shqiptare brenda Perandorisë Osmane, si garanci kundër pretendimeve dashakeqe të shteteve fqinje, të përkrahura nga Rusia. Me ndryshimin e rrethanave, kur kjo perandori ishte në shpërbërje, u shpall pavarësia e shtetit shqiptar. Ky shtet duhej të kishte institucione moderne politike, arsimore, kulturore, shkencore, ekonomike, diplomatike; t’i respektonte të drejtat njerëzore, etnike, religjioze, sociale; të ishte i hapur për bashkëpunime ndërkombëtare dhe të kultivonte raporte të mira me fqinjët… Sot këto janë kërkesa themelore për integrimin e një vendi në BE.

Vizioni i mendimtarëve të viteve 30-të të shekullit XX

Mendimtarët e viteve ’30 të shekullit XX krijuan paradigmë të re kombëtare, në përputhje me aspiratat e përhershme të shqiptarëve, por edhe me rrethanat ndërkombëtare. Nëse rilindësit shqiptarë e krijuan ëndrrën për një shtet të pavarur shqiptar, këta mendimtarë, tashmë kur ky shtet ishte krijuar, punuan me mendje e shpirt për formësimin e një shteti modern, duke u bazuar në modelin dhe vlerat europerëndimore.

Branko Merxhani e theksoi se kishte ardhur koha kur shqiptarët duhej të punonin me mendje dhe zemër për idenë krijuese të qenies kombëtare. Lëvizja “Neoshqiptarizma”, që ishte ideuar nga ai, synonte orientimin e Shqipërisë drejt Europës. Për ta arritur këtë qëllim, shqiptarët duhej të largoheshin nga fantazitë e së kaluarës, kurse jeta politike nuk duhej të përcaktohej nëpërmjet romantizmit dhe fantazive, por nëpërmjet shkencës, veçanërisht asaj sociologjike. Vetëm me njohjen e së vërtetës dhe të rrezikut, një popull i siguronte jetëgjatësi vetes. Nëse Fridrih Niçe fliste për organizimin e kaosit brenda njeriut, Merxhani mendonte se një popull vetëdëshmohej vetëm kur e njihte dhe e organizonte kaosin brenda vetes.

Mendimtarët e kësaj periudhe e theksuan nevojën e shërimit moral të shoqërisë shqiptare. Ata besonin se ngritja morale dhe shpirtërore e kombit mund të bëhej nëpërmjet dijes, artit dhe kulturës. Sipas Merxhanit, për ta arritur këtë qëllim, intelektualët duhej të sillnin formula morale, politike dhe shoqërore që do t’i konkretizonin dëshirat e pacaktuara të turmave.

Anton Harapi mendonte se shqiptarit duhej t’i forcohej ndjenja për jetën e përbashkët dhe t’i krijohej ndërgjegjja shoqërore. Në sprovën “Rrymët e jetës shqyptare”  ai i veçoi disa formula që do t’i mbronin dhe do t’i përmirësonin të mirat ideale dhe materiale të shqiptarëve.

Për sa i përket sferës ideale, Anton Harapi kërkonte edukimin e ndjesive të shqiptarit ndaj Zotit dhe Atdheut; kultivimin e besës, të burrnisë dhe të nderit; krijimin e idealit për një jetë të përbashkët shtetërore; zhvillimin e mendjes, duke i dhënë shqiptarit kuptim të qartë për jetë e gjallërim; lartësimin e konceptit të punës, të gruas dhe të familjes; luftën kundër çdo demoralizimi e korrupsioni, si dhe njohjen e thellë të shpirtit dhe të veçantive të shqiptarit. Ndërkaq, për sa i përket sferës materiale, ai kërkonte përmirësimin ekonomik dhe financiar të jetës së shqiptarëve; përmirësimin e shëndetit të banorëve; të kushteve të banimit dhe të veshjes dhe t’i mundësohej shqiptarit që ta kishte më të lehtë gjetjen e punëve të reja.

Ideologjia e tij parashihte krijimin e zotësisë mendore dhe të fuqisë morale te shqiptarët, të cilët nuk duhej të merreshin me fitimet e ulëta të kulturës materiale, por të çmonin parimet dhe vlerat e kulturës botërore, mbi të cilat do të ngrihej kultura shqiptare. Gjithashtu, shqiptarët duhej të kishin ndjenjë sakrifice për vlerat kombëtare; të çmonin besën, burrninë, urtinë, fisnikërinë, dashurinë, mirësinë, të vërtetën dhe të drejtën; t’i respektonin vlerat njerëzore dhe kulturore. Sipas tij, këto do të ishin gjëra të kota pa liri mendimi, fjale, ndërgjegjeje civile, fetare dhe shoqërore.

Mid’hat Frashëri, në veprën “Plagët tona”, i kritikoi të metat shqiptare, që ishin: mungesa e virtytit për t’i njohur të metat, lakmia, egoizmi, përçarja, ndjenja për aventura, mungesa e virtytit për kombin, përtacia, mercenarizmi, mungesa e altruizmit dhe e solidaritetit, por edhe mungesa e respektit për jetën e tjetrit (“Pushka kërcet vetvetiu. Ai që vdes në një ferrë nuk quhet fatkeq. Ai që vret nuk ndjehet i turpëruar, por mburret dhe hiqet krenar”). Ideali i shqiptarëve, sipas Frashërit, duhej të ishte puna e pareshtur për t’u bërë faktor qytetërimi në Ballkan dhe për të zënë vend nderi në histori. Shqiptarët duhej të punonin me përkushtim që ta bënin vendin një tokë të lulëzuar; të pasuroheshin moralisht dhe ekonomikisht; ta përmendnin kombin me nderim e lëvdatë; të kishin letërsi, art dhe prosperitet lëndor dhe të punonin me durim e metodë në punë.

Edhe Tajar Zavalani shkroi për të metat shqiptare, që ishin pengesë për krijimin e një shteti modern. Sipas tij, të metat kryesore ishin: mungesa e disiplinës, egoizmi i cekët dhe mungesa e solidaritetit për njëri-tjetrin. Zavalani kishte qëndrim kritik edhe ndaj elitës intelektuale, sepse nuk e kryente misionin e saj në shoqëri. Në shkrimin “Populli dhe intelektualët” ai i kritikoi intelektualët që vetëm ankoheshin se nuk populli i kuptonte. Fajet më të mëdha, sipas tij, nuk i kishte populli, por ata që vetëquheshin intelektualë. “Ideali i shumë intelektualëve të rinj shqiptarë është një jetë e rehatëshme, pa andralla e mundime, me para boll, komfort e dëfrime moderne. Dhe në është se ata nuk e gëzojnë këtë jetë të ëndëruar, fajin e ka populli, i cili nuk kupton shpirtin e intelektualëve dhe nuk vepron siç dëshërojnë ata”. Zavalani kërkoi nga rinia që të merrte përgjegjësi mbi supet e veta për ngritjen kulturore të kombit. Sipas tij, ajo duhej të bëhej avangardë e përparimit të vendit; ta edukonte veten; të punonte me disiplinë; të kishte ide të qarta, vullnet pune dhe shpirt sakrifice; të bashkohej në frymën e re dhe të mobilizohej për qëllime më të larta.

Edhe mendimtarët tjerë të kësaj periudhe kishin pothuajse mendime të njëjta. Pikërisht në këtë periudhë u krijuan institucionet dhe administrata moderne e shtetit shqiptar. Kishte sistem politik pluralist, ishin krijuar institucione kulturore e shkencore, si dhe sistemi arsimor fillor dhe i mesëm. Gjithashtu, shteti u jepte bursa të rinjve shqiptarë që të studionin në universitete europiane, me detyrimin që nesër të kontribuonin në vendin e tyre.

Ngrirja komuniste

Gjatë periudhës komuniste u ndërpre ky proces emancipimi kulturor dhe shoqëror. Regjimi komunist ishte kundër pluralizmit, kundër të drejtave njerëzore, qytetare, religjioze. Shqipëria, për disa dhjetëvjeçarë, ishte një “muze ateist” dhe vendi më i izoluar në botë.

Realiteti ishte i zymtë edhe në viset e banuara me shqiptarë, të cilët mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Shqiptarët nuk kishin të drejta njerëzore, qytetare dhe kombëtare. Ata nuk kishin shkolla në gjuhën e tyre. Shtypeshin e persekutoheshin me metoda të ndryshme. Intelektualët e këtyre viseve vepruan, për aq sa mundën, në ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve të këtyre viseve, veçanërisht pas viteve 50-të. Kjo përpjekje e vazhdueshme, e shoqëruar me shumë mund, dhimbje dhe sakrifica, u kurorëzua shumë më vonë me pavarësinë e Kosovës.

Realiteti i ri

Sot kemi një realitet tjetër. Shqipëria dhe Kosova janë shtete të pavarura, kurse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut përfaqësohen nëpërmjet partive politike dhe kanë disa institucione arsimore e kulturore. Shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, i bashkon vizioni për integrimin europian.

Sot shqiptarëve u duhet një vizion i ri. Ata duhet të ketë institucione funksionale dhe funksionarë të pakorruptuar. Për mbrothësinë kombëtare nuk mjafton vetëm lavdia e së kaluarës, por as të mohohet kjo lavdi, sepse kush nuk e respekton sakrificën e atyre që punuan e sakrifikuan për lirinë dhe për mbrothësinë kombëtare, nuk e meriton lirinë. Përderisa me të kaluarën duhet të merret historia, me të tashmen dhe krijimin e strategjisë afatgjate duhet të merren mendimtarët dhe ta jetësojnë politikanët.

Shqiptarët, veçanërisht ata që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, shpesh e vetëzgjodhën që të ishin popull i margjinalizuar. Përfaqësimi i tyre nëpër institucione ishte më shumë sasior sesa cilësor. Elitave politike u interesoi vetëm ngritja e perandorisë së korrupsionit. Sot kemi shumë “të rëndësishëm” që u pasuruan nëpërmjet politikës së nënshtrimit, por prej pasurisë së tyre qytetari nuk ka asnjë dobi. Është shumë e shprehur edhe ndjenja e vetëpërçmimit. Më nuk i besojmë askujt. Të tjerët na duken më të aftë. Kjo është si pasojë e anomisë, e rënies së sistemit të vlerave.

Shqiptarët dhe rirenditjet globale

Sot nuk kemi vizion të qartë në planin gjithëkombëtar. Nuk i kemi përcaktuar prioritetet kryesore kombëtare. Nuk kemi përgjigje të qartë për pozicionin tonë në kontekst të zhvillimeve globale. Në planin global gjërat nuk ndryshojnë shpesh. Kur ndryshojnë, atëherë një popull i papërgatitur paguan çmime të mëdha.

Politika ndërkombëtare, siç shihet, ndryshon rrënjësisht. Pllakat tektonike të politikës globale kanë ndryshuar. Edhe raportet SHBA-Europë ndryshojnë me rikthimin e Donald Trump-it si president. Europa sot përballet me shumë sfida. Ndërkaq, paralajmërimet për tërheqje trupash amerikane nga Europa i rrisin shqetësimet për sigurinë, veçanërisht në rajonin tonë.

Tronditjet që ndodhin në planin global nuk mund të shikohen me indiferencë nga shqiptarët. A kanë shqiptarët vizion të qartë në kontekst të rirenditjeve globale? Fatkeqësisht nuk kanë. Elitat shqiptare i shikojnë proceset globale nga pozita provinciale. Kjo ndodh për shkak se nuk kemi strategji të qartë, që do të na orientonte të rrugëtonim të sigurt drejt së ardhmes.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button