Për 1 maji në Greqi, kolona makinash në Bogorodicë

Kamerat e vendosura në pikat kufitare për dalje nga vendi sot regjistrojnë një numër në rritje automjetesh drejt Greqisë fqinje. Në pikën kufitare “Bogorodicë”, afër Gjevgjelisë, shihen pesë kolona automjetesh që presin të hyjnë në Greqi. Pritja për të kaluar kufirin zgjat më shumë se një orë.
Në pjesën tjetër të pikave kufitare me Greqinë, kamerat e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore tregojnë se nuk ka rritje të numrit të automjeteve.
Nga Lidhja Automoto e Maqedonisë (AMSM) thonë se mëngjesin e sotëm është vërejtur rritje e frekuencës së automjeteve në vendkalimin kufitar Tabanovc, ku pritja për hyrje në Maqedoni ka qenë rreth 15 deri në 30 minuta.
“Në vendkalimet e tjera kufitare, në anën maqedonase, nuk ka më ndalime për hyrje dhe dalje nga vendi, thonë nga Lidhja Automoto e Maqedonisë.

