Pentagoni: Shefi i shtabit të ushtrisë amerikane Randy A. George do të dalë në pension

Pentagoni njoftoi të enjten se gjenerali Randy A. George do të dalë në pension nga detyra e tij si Shefi i 41-të i Shtabit të Ushtrisë, “me efekt të menjëhershëm”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të shkurtër, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së shprehu mirënjohje për dekadat e shërbimit ushtarak të George.

Departamenti “është mirënjohës për dekadat e shërbimit të gjeneralit George ndaj vendit tonë. I urojmë suksese në pension”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell.

Më herët, televizioni CBS News raportoi se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i kishte kërkuar gjeneralit George të tërhiqej nga detyra dhe të dilte menjëherë në pension.

Duke cituar burime të njohura me vendimin, televizioni tha se Hegseth dëshiron dikë në këtë post që do të zbatojë vizionin e presidentit Donald Trump për ushtrinë amerikane.

Në vitet 2021–2022, gjatë administratës së Joe Bidenit, George shërbeu si ndihmës i lartë ushtarak i sekretarit të atëhershëm të Mbrojtjes, Lloyd Austin.

George mori detyrën si shef i shtabit të ushtrisë amerikane më 21 shtator 2023. Zakonisht, kjo detyrë mbahet për një mandat katërvjeçar.

Tre zyrtarë amerikanë thanë se Hegseth shkarkoi gjithashtu të enjten edhe dy gjeneralë të tjerë të ushtrisë: gjeneralmajorin William Green Jr., shefin e kapelanëve të ushtrisë dhe David Hodne, i cili drejtonte Komandën e Transformimit dhe Trajnimit të Ushtrisë.

Hegseth ka shkarkuar një numër zyrtarësh gjatë mandatit të dytë të Trumpit.

Vitin e kaluar, ai largoi gjeneral-lejtnantin e Forcave Ajrore Jeffrey Kruse, i cili drejtonte Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, pasi një vlerësim në fillim të qershorit sugjeroi se sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit ishin më të kufizuara sesa kishte pretenduar Trumpi.

Më herët, ai shkarkoi gjithashtu nënadmiralen e Marinës Shoshana Chatfield, përfaqësuesen ushtarake të SHBA-së në komitetin ushtarak të NATO, duke përmendur “humbje besimi në udhëheqjen e saj”.

Shkarkime të tjera të kryera nga Hegseth përfshijnë edhe kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit CQ Brown Jr., gjeneralin e Forcave Ajrore Timothy Haugh, komandantin e Komandës Kibernetike të SHBA-së dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë si dhe komandanten e Rojës Bregdetare, admiralen Linda Fagan.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button