Pediatrët: Mosha e prindërve dhe stresi arsyet kryesore të lindjes së parakohshme

Ritmi i shpejtë i jetës, stresi, mosha e prindërve, por edhe fekondimi artificial janë arsyet kryesore të lindjes së parakohshme të foshnjave, vlerësojnë pediatrët në ditën ndërkombëtare të foshnjave të lindura para kohe. Foshnja e lindur në vetëm javën e 23-të të shtatzënisë së nënës është e mbijetuara më e vogël në Maqedoninë e Veriut. Sipas statistikave, nga viti 2017 e deri më tani, vdekshmëria e foshnjave të lindura para kohe është ulur për 74%. Pra, në vitin 2016 ishte 25%, dhe në 2023 5.6%, raporton Alfax.
“Ka shumë arsye për shtimin e numrit të foshnjave të lindura para kohe. Një pjesë e arsyeve për këtë është edhe zhvendosja e kufirit të moshës për lindje tek femrat, gjithnjë e më shumë prej tyre vendosin të bëhen nëna pas moshës 36 vjeç, stili i jetesës, stresi, fekondimi artificial. Nga ana tjetër po rritet edhe shkalla e mbijetesës së foshnjave të lindura para kohe, gjë që na gëzon shumë. Por nuk është e rëndësishme vetëm mbijetesa, por edhe cilësia e jetës, në mënyrë që fëmija të ketë më pak pasoja. Prandaj i kushtojmë shumë rëndësi ndërhyrjes së hershme dhe monitorimit të zhvillimit të fëmijëve”, thotë Prof. Dr. Sillvana Naunova Timovska, kryetare e Shoqatës së Neonatologëve.
Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve Premature, Shoqata e Neonatologëve të Maqedonisë tha se kjo ditë është shumë domethënëse për mjekët pediatër, të cilët bëjnë gjithçka për shëndetin e fëmijëve të porsalindur.
Statistikat thonë se rreth 15 milionë foshnje në botë lindin para kohe çdo vit, ose një në çdo 10 të porsalindur.Alfax.


