Pas SHBA-së, edhe Izraeli tërhiqet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut
Izraeli njoftoi mbrëmë se po tërhiqet nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (UNHRC), pas një vendimi të ngjashëm të SHBA-së, që vendosi të mos merr më pjesë në këtë organizatë, raporton Anadolu.
“Izraeli mirëpret vendimin e presidentit Donald Trump për të mos marrë pjesë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC)”, tha Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar në X, duke shtuar:
“Izraeli i bashkohet SHBA-së dhe nuk do të marrë pjesë në UNHRC”.
Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të martën për tërheqjen e SHBA-së nga UNHRC.
Urdhri gjithashtu ndalon SHBA-në të sigurojë ndonjë fond shtesë për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).
Ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ndaloi financimin e agjencisë në janar 2024 pasi Izraeli akuzoi 12 punonjës të saj se morën pjesë në sulmin ndërkufitar të 7 tetorit 2023 nga grupi palestinez Hamas, që shkaktoi luftën në Gaza. Ndalimi i financimit ishte planifikuar të mbetej në fuqi deri në mars 2025.
Para tërheqjes së Izraelit dhe SHBA-së, Këshilli i të Drejtave të Njeriut me bazë në Gjenevë përbëhej nga 47 shtete anëtare.