Pas karrigeve, deputetët opozitarë në Shqipëri djegin manekinë para Kuvendit
Paraditen e 3 tetorit para hyrjes së Kuvendit të Shqipërisë u regjistruan momente tensioni. Deputetët e Partisë Demokratike në opozitë vendosën para Kuvendit katër manekinë me me imazhet e kryeministrit Edi Rama dhe deputetit, njëherësh ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe vëllezërve të tyre, Osli Rama dhe Agron Xhafaj, të cilët opozita i akuzon për përfshirje kriminale
Më pas, deputetët e opozitës hodhën benzinë dhe u vunë flakën katër manekinëve, që i kishin veshur me “uniforma burgu”. Punonjësit zjarrfikës ndërhynë duke shuar zjarrin.
Ndërkaq, në pritje të nisjes së seancës plenare, punonjësit e Gardës së Republikës mbyllën dyert për 24 deputetët e opozitës të përjashtuar përkohësisht nga punimet plenare.
Sekretariati i Etikës i Kuvendit të Shqipërisë vendosi të mërkurën përjashtimin përkohësisht për 24 deputetë të opozitës nga seancat plenare të Kuvendit, për shkak se dogjën karrige para ndërtesës së institucionit tri ditë më parë.
Sekretariati vendosi – që kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Flamur Noka, dhe deputetin Bledion Nallbati – të përjashtohen për 60 ditë nga seancat plenare secili. Ndërsa, 20 deputetë të tjerë janë përjashtuar për 40 ditë. Një deputet tjetër është përjashtuar për 10 ditë nga seancat.
Vendim ka hyrë në fuqi të enjten, kur Kuvendi duhej të zhvillonte seancën e radhës. Deputetët e opozitës u përpoqën të kalonin kordonin e sigurisë dhe kishte edhe konfrontime fizike, por nuk u lejuan të hynin në sallë. Disa deputetë demokratë nuk lejuan as ministrin e Financave, Petrit Malaj, të hynte në sallën e Kuvendit. Për shkak të kësaj situate nuk morën dot pjesë në punimet e Kuvendit as deputetët e opozitës, ndaj të cilëve nuk ka masë disiplinore.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, deklaroi se aksioni i opozitës do të vijojë dhe se nuk do të ketë zhvillim normal të seancave plenare.
“Ne do të veprojmë në raport me këtë godinë, me kryeministrinë dhe çdo godinë tjetër, ku strehohet krimi dhe qëllohet ndaj atyre që luftojnë krimin”, tha Bardhi.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në një deklaratë për mediat shprehu mirënjohje për punonjësit e Gardës së Republikës dhe theksoi se në seancë duhet të ishin të pranishëm vetëm deputetët ndaj të cilëve nuk ka masë disiplinore nga Sekretariati i Etikës.
Seanca zgjati rreth 30 minuta, dhe në sallë ishin vetëm deputetët e shumicës, të cilët votuan vetëm një prej dy projektligjeve në rendin e ditës.
Më 30 shtator, deputetë të Partisë Demokratike nxorën jashtë sallës së Kuvendit karriget e tyre dhe u vunë zjarrin në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji. Ata po ashtu kërkuan një Qeveri teknike, që pas tyre, do ta çonte vendin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat që u panë më 30 shtator në Kuvendin e Shqipërisë dhe u bënë thirrje pushtetit dhe opozitës që të zhvillojnë dialog. (REL)