Pas goditjes së Mossad-it, spiunazhi i Iranit ngjall pasiguri brenda Izraelit

Nuk është vetëm Mossad që luan lojëra spiunazhi. Të njejtën po e bën edhe Irani.
Brenda pak javësh, Izraeli ka njoftuar arrestimin e disa shtetasve të cilët i akuzon se punojnë për Teheranin.
Të martën, një izraelit u arrestua pasi dyshohet se ra dakord të vriste një shkencëtar izraelit kundrejt një pagese prej 100,000 dollarësh. Paratë thuhet se janë ofruar nga operativë iranianë.
Një aktakuzë e ngritur të mërkurën nga Prokuroria e Shtetit izraelit e akuzon 35-vjeçarin Vladimir Verhovsky për kontakt me një agjent të huaj, posedim dhe transport të një arme dhe komplot për të kryer një akt terrorist, sipas gazetës Haaretz.
Vetëm një ditë më parë, Prokurori i Shtetit izraelit ngriti akuza kundër Vladislav Victorson, 30, dhe Anna Bernstein, 18, të dy nga Ramat Gan, në lindje të Tel Avivit, duke i akuzuar ata për kryerjen e misioneve në emër të Iranit. Victorson dhe Bernstein janë gjithashtu shtetas izraelitë.
Ata janë akuzuar për kontakt me një agjent të huaj, vandalizëm, komplot për të kryer dëme me qëllim të keq, zjarrvënie dhe komplot për vrasje.
Agjencia izraelite e sigurisë Shin Bet pretendon se një agjent iranian kontaktoi Victorson përmes Telegram, duke ofruar para për një sërë detyrash.
Që nga gushti, këto aktivitete thuhet se përfshinin pikturimin e grafiteve me spërkatje, shpërndarjen e fletushkave kundër Netanyahut, ruajtjen e parave dhe djegien e makinave.
Victorson akuzohet gjithashtu se ka pranuar të vrasë një personazh publik të paidentifikuar, ka tentuar të ndërtojë një mjet shpërthyes dhe ka kërkuar armë si një pushkë snajperi. Ata dyshohet se kanë marrë 1,450 dollarë në kriptomonedhë për djegien e makinave në Tel Aviv dhe 20 dollarë për çdo grafit.
Një tjetër izraelit, Moti Maman, u arrestua në shtator pasi dyshohet se ishte rekrutuar nga inteligjenca iraniane për të lehtësuar një komplot vrasjeje kundër zyrtarëve izraelitë, përfshirë kryeministrin Netanyahu.
Hetimet zbuluan se biznesmeni 72-vjeçar u kontrabandua në Iran dy herë për t’u takuar me operativët iranianë, sipas Haaretz.
Në maj, atij iu ofrua pagesa për misione të ndryshme, si transferimi i fondeve dhe armëve, fotografimi i vendeve të mbushura me njerëz në Izrael dhe kërcënimi i qytetarëve të tjerë.
Si Irani ashtu edhe Izraeli kanë rekrutuar vendas për të spiunuar njëri-tjetrin për vite me radhë. Me kalimin e kohës, taktikat e spiunazhit janë bërë shumë të sofistikuara, siç është evidente nga pajierët dhe shpërthimet e radiove në Liban në shtator.
Muajin e kaluar, Garda Revolucionare e Iranit tha se kishte çmontuar një rrjet prej dymbëdhjetë agjentësh izraelitë në gjashtë provinca që po punonin për të minuar sigurinë kombëtare të vendit. /TRT World/