Partia Nacionaliste e Bangladeshit shpall fitoren në zgjedhjet e përgjithshme

Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP) shpalli sot fitoren në zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa rivali i saj kryesor, Jamaat-e-Islami, ngriti dyshime për procesin e numërimit të votave, raporton Anadolu.
Bangladeshi mbajti zgjedhje të përgjithshme të enjten, të parat që nga kryengritja popullore e vitit 2024 që rrëzoi qeverinë e ish-kryeministres Sheikh Hasina.
Autoritetet zgjedhore ende nuk kanë shpallur rezultatet zyrtare të votimit për zgjedhjen e parlamentit të ri me 300 vende.
“BNP-ja ka fituar shumicë prej dy të tretash në zgjedhje”, u tha gazetarëve sekretari i përgjithshëm i partisë, Mirza Fakhrul Islam Alamgir.
Partia njoftoi në një deklaratë në rrjetin social amerikan Facebook ka fituar “një numër të madh vendesh” në zgjedhjet për Parlamentin e 13-të Kombëtar, por njëkohësisht u bëri thirrje mbështetësve të mos festojnë.
Partia Awami League e Hasinës ishte e ndaluar të merrte pjesë në zgjedhje.
Megjithatë, blloku i udhëhequr nga Jamaat-e-Islami deklaroi se është “i pakënaqur” me numërimin e votave dhe paralajmëroi protesta nëse parregullsitë nuk trajtohen.
Sipas transmetuesit lokal Channel24 TV, BNP-ja kryeson me 212 vende, ndërsa blloku i udhëhequr nga Jamaat ka siguruar 76 vende.
Komisioni Zgjedhor i Bangladeshit njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte 59,44 për qind, krahasuar me 41,8 për qind në zgjedhjet e janarit 2024, të cilat opozita BNP-Jamaat i kishte bojkotuar.
Mbi 127,6 milionë qytetarë kishin të drejtë vote në këto zgjedhje, të cilat përfshinë edhe një referendum për reforma kushtetuese.
Zgjedhjet u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore, megjithëse u regjistruan të paktën nëntë vdekje për arsye të ndryshme.
Pas shpalljes së fitores, India, Malajzia dhe Pakistani e uruan liderin e BNP-së, Tarique Rahman.



