Parlamenti shkatërroi gjyqësorin me Kodin Penal, thotë Transparency International

Në shtator të vitit 2023, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut minoi gjyqësorin, thotë raporti më i fundit i Transparency International lidhur me Perceptimin e Korrupsionit në Sektorin Publik duke iu referuar ndryshimeve në Kodin Penal me të cilat zyrtarët shtetërore fituan lehtësime për vepra korrupsioni të lartë.
“Në një procedurë jotransparente dhe të shpejtë, deputetët ndryshuan Kodin Penal duke ulur dënimet me burg dhe shkurtimin e parashkrimit për shpërdorimin e detyrës zyrtare”, thuhet në raport.
Në raport shkruan se mbi 200 raste të korrupsionit rrezikojnë që përfshijnë ish zyrtarë të lartë shtetëror, të hidhen poshtë.
Indeksi përdor një shkallë pikësh nga zero, që tregon një vend shumë të korruptuar, në 100, ose një vend jo të korruptuar. Maqedonia e Veriut ka 42 pikë. Është renditur në vendin e 76-të nga 180 vende.
Sipas raportit, grupet e margjinalizuara kanë më shumë gjasa të jenë në shënjestër të aktorëve të korruptuar dhe autoritetet as nuk i mbrojnë ata dhe as nuk i ndëshkojnë autorët.
“Kur drejtësia blihet apo politika ndërhyn në të, janë njerëzit që e vuajnë. Liderët duhet të investojnë plotësisht dhe të garantojnë pavarësinë e institucioneve që zbatojnë ligjin dhe luftojnë korrupsionin. Është koha për t’i dhënë fund mosndëshkimit për korrupsionin”, thotë Transparency International.



