Parlamenti rus propozon ndalimin e përdorimit të internetit për fëmijët nën moshën 14 vjeç

Parlamenti i Rusisë, i njohur si Duma Shtetërore, ka propozuar ndalimin e qasjes në internet për fëmijët nën moshën 14 vjeç, ndërsa kryetarja e komisionit parlamentar për mbrojtjen e familjes sugjeroi që qasja të lejohet vetëm pasi të merret pasaporta, transmeton Anadolu.
“Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që do të mbrojmë shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve, por gjithashtu do t’i mbajmë ata të sigurt nga mashtrimet në internet”, tha kryetarja e Komisionit për Mbrojtjen e Familjes, Nina Ostanina, për kanalin rus RT të premten.
Ostanina beson se prindërit duhet t’i këshillojnë fëmijët e tyre të shmangin përdorimin e pajisjeve elektronike.
Më herët gjatë kësaj jave, ministri i Arsimit i Rusisë, Sergei Kravtsov, deklaroi se çështja e ndalimit të përdorimit të telefonave celularë për fëmijët nën një moshë të caktuar është duke u diskutuar.
Ai theksoi se vendimi ende nuk është marrë, duke shtuar se “është një çështje komplekse”.
“Nuk është normale që një fëmije që nga mosha tre vjeç t’i jepet telefon inteligjent ose tablet vetëm që të mos i shqetësojë prindërit”, tha ai në një intervistë për kanalin rus të podkasteve Empathy Manuchi.
“Nuk është normale. Kjo ndikon në zhvillimin psikologjik të fëmijës”, shtoi ai.



