Parlamenti izraelit miraton ligjin që hap rrugën për mbylljen e “Al Jazeera”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka premtuar të “veprojë menjëherë për të ndaluar” operacionet e “Al Jazeera” në vend pasi Parlamenti izraelit miratoi një ligj që u jep ministrave të lartë kompetenca për të mbyllur rrjetet e huaja të lajmeve që konsiderohen si një rrezik sigurie.
“Al Jazeera nuk do të transmetohet më nga Izraeli”, shkroi Netanyahu në një postim në X pasi ligji u miratua në leximet përfundimtare të hënën. “Kam ndërmend të veproj menjëherë në përputhje me ligjin e ri për të ndaluar aktivitetin e kanalit”, ka shtuar ai.
Netanyahu ka kërkuar prej kohësh të mbyllë transmetimet nga media me bazë në Katar, duke pretenduar paragjykime anti-izraelite.
Ligji, i cili u miratua me një votim 71-10 në Knesset, i jep kryeministrit dhe ministrit të komunikimeve autoritetin për të urdhëruar mbylljen e rrjeteve të huaja që operojnë në Izrael dhe konfiskimin e pajisjeve të tyre nëse besohet se ato përbëjnë “dëm për sigurinë e shtetit”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha të hënën se një veprim izraelit për të mbyllur “Al Jazeera” do të ishte “shqetësues”.
“Ne besojmë në lirinë e shtypit. Është kritike. Është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin punën kritike të gazetarëve në mbarë botën, dhe kjo përfshin ata që raportojnë në konfliktin në Gaza, “u tha Jean-Pierre gazetarëve.
Ndërkohë, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se ligji i ri izraelit “po përbën një kërcënim të rëndësishëm për mediat ndërkombëtare”.
“Kjo kontribuon në një klimë të vetëcensurës dhe armiqësisë ndaj shtypit, një prirje që është përshkallëzuar që nga fillimi i luftës Izrael-Gaza,” tha Komiteti.