“Parlamenti i Ri Frankofon” në Kuvend, Gashi thekson rolin e të rinjve në debat

Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mori pjesë dhe mbajti fjalim në punëtorinë njëditore “Parlamenti i Ri Frankofon – Kam një qëndrim!”, e zhvilluar në Kuvend, me pjesëmarrjen e ambasadorëve të Francës dhe Zvicrës në vend.
Në aktivitet ishin të pranishëm ambasadori i Francës, Kristof le Rigole, dhe ambasadori i Zvicrës, Kristof Zomer.
Gashi theksoi rëndësinë e këtij projekti për përfshirjen e të rinjve në debat dhe zhvillimin e mendimit kritik.
“Pata kënaqësinë të drejtohem në punëtorinë njëditore ‘Parlamenti i Ri Frankofon – Kam një qëndrim!’, e cila u zhvillua në Kuvend”, deklaroi ai.
Sipas tij, projekti u ofroi të rinjve mundësinë që përmes debatit parlamentar në gjuhën frënge të diskutojnë për çështje aktuale që i prekin drejtpërdrejt.
“Në këtë projekt të veçantë, të rinjtë përmes debatit parlamentar në gjuhën frenge diskutuan për tema të rëndësishme si dhuna mes bashkëmoshatarëve, lajmet e rreme dhe papunësia e të rinjve”, u shpreh Gashi.
Ai nënvizoi se aktivitete të tilla janë të rëndësishme për zhvillimin e aftësive kritike dhe për edukimin demokratik të gjeneratave të reja.
“Theksova rëndësinë e këtij aktiviteti në zhvillimin e mendimit kritik tek të rinjtë dhe vlerësova rolin e profesorëve në përgatitjen dhe motivimin e nxënësve për të marrë pjesë në debate të tilla edukative”, tha kryeparlamentari.
Në fjalën e tij, Gashi gjithashtu përshëndeti angazhimin e deputetes Ivanka Vasilevska dhe të deputetëve të tjerë për promovimin e vlerave frankofone përmes Asambleja Parlamentare e Frankofonisë.
“Përshëndeta angazhimin e deputetës Ivanka Vasilevska, si Kryetare e Seksionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, si dhe deputetëve të tjerë anëtarë për promovimin e vlerave të frankofonisë”, theksoi ai.
Në punëtori morën pjesë nxënës dhe të rinj të cilët, përmes simulimit të debatit parlamentar në gjuhën frënge, diskutuan për sfida të ndryshme shoqërore dhe për mënyrat e adresimit të tyre.



