Park përkujtimor në vendin e dhimbjes, VLEN nuk harron!

Në vendin ku dikur qëndronte spitali modular i Tetovës, simboli i një prej tragjedive më të rënda që ka përjetuar qyteti ynë, sot fillon ndërtimi i një parku përkujtimor, një vend reflektimi dhe premtimi për të mos harruar kurrë.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në këtë ngjarje theksoi se nuk po ndërtohet thjesht një park, por po ngrihet një ndërtesë kolektive e ndërgjegjes, e dhimbjes së përbashkët dhe e zotimit për drejtësi. “Katër vite më parë, këtu ndodhi një tragjedi që la plagë të thella në zemrat tona. Sot, me përulësi e vendosmëri, fillojmë ndërtimin e një hapësire që do ta mbajë gjallë kujtimin për viktimat dhe do të shërbejë si zotim për të mos lejuar kurrë më neglizhencën të marrë jetë njerëzish”, deklaroi ministri Aliu.
Arkitektura e parkut do të pasqyrojë filozofinë e një sistemi të thyer, me shtigje të përthyera dhe elemente që ftojnë në reflektim. Nuk është vetëm një projekt infrastrukturor, por një gur themeli i kujtesës kolektive dhe një akt përgjegjësie morale për gjithë shoqërinë.
VLEN e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë më kurrë që jeta e qytetarëve të nëpërkëmbet nga paaftësia dhe papërgjegjësia. Ndërsa të tjerët ndërtuan modularë pa standarde, ne ndërtojmë simbole që nderojnë jetën dhe forcojnë kujtesën.
Ky është vizioni ynë: Qeverisje që nderon jetën, nderon viktimat dhe ndërton me përgjegjësi. VLEN nuk harron.