“Paranoja” e sekretarit amerikan të Luftës për zëvendësimin, shpjegon spastrimet e gjeneralëve

Dyshimi i supozuar i sekretarit të Luftës të SHBA-së, Pete Hegseth, se sekretari i Ushtrisë, Dan Driscoll, mund ta zëvendësojë atë ka kontribuar në shkarkimin e gjeneralit më të lartë të ushtrisë, transmeton Anadolu.
Duke cituar zyrtarë amerikanë, New York Post raportoi se Hegseth të enjten kërkoi dorëheqjen e shefit të Shtabit të Ushtrisë të SHBA-së, gjeneralit Randy George, ndihmësit të Driscollit, gjatë konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, megjithëse nuk u dha një shpjegim publik për vendimin.
“E gjitha kjo është e drejtuar nga pasiguria dhe paranoja që Hegseth ka zhvilluar që nga ‘Signalgate’. Fatkeqësisht, kjo nxitet nga disa prej ndihmësve të tij më të afërt që duhet të përpiqeshin të qetësonin situatën”, tha një zyrtari, duke iu referuar një bisede grupore të sekretarit Hegseth në mars të vitit 2025 me zyrtarë të sigurisë kombëtare, e cila përfshiu gabimisht një gazetar dhe mund të ketë përmbajtur informacione konfidenciale, duke rrezikuar anëtarë të ushtrisë amerikane.
Dy gjeneralë të tjerë të ushtrisë, gjenerali David Hodne, i cili drejtonte Komandën e Transformimit dhe Trajnimit të Ushtrisë, si dhe gjeneral-major William Green nga Korpusi i Kapelanëve të ushtrisë, u larguan gjithashtu në këtë riorganizim, ndërsa departamenti tha vetëm se “kishte ardhur koha për një ndryshim lidershipi”.
“(Hegseth) ka një konflikt të madh me Driscoll-in. Dhe atij i është thënë nga Shtëpia e Bardhë se nuk mund ta shkarkojë Driscoll-in, të paktën për momentin”, tha një burim i afërt me administratën e presidentit Donald Trum.
“(Hegseth) është shumë i shqetësuar se mund të shkarkohet dhe e di se Driscoll-i është një nga kandidatët kryesor ose një kandidat natyral për ta pasuar atë. Prandaj ajo që Hegseth ka bërë është të synojë këdo që ai e percepton si të afërt me Driscoll-in. Dhe ky është shembulli më i fundit dhe më spektakolar”, tha zyrtari.
Driscoll është një mik i vjetër i zv/presidentit JD Vance dhe të dy kanë ndjekur Shkollën Juridike të Yale pas shërbimit në Luftën e Irakut. Emri i tij u përmend verën e kaluar si një pasues i mundshëm i sekretarit Hegseth dhe shqetësimet e kreut të Pentagonit u shtuan në vjeshtë kur Driscoll mori një rol si negociator në luftën Rusi-Ukrainë.
Hegseth ishte zgjedhja e dytë e presidentit Trump për sekretar të luftës, pasi u bë e qartë se ish-kongresmeni Matt Gaetz nuk do të miratohej. Ai ka përballuar disa polemika gjatë mandatit të tij dhe disa raportime sugjerojnë se Trump mund të kërkojë ta fajësojë sekretarin Hegseth për faktin se lufta me Iranin nuk ka shkuar siç administrata kishte planifikuar.



