Paralajmërimi i Kanadasë për ta njohur Palestinën “çmend” Izraelin

Diplomacia izraelite ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të kryeministrit kanadez, Mark Carney, për njohjen e shtetit palestinez, duke e quajtur këtë veprim pjesë të një “fushate të çoroditur ndërkombëtare presioni” që, sipas tyre, do të “forcojë pozicionin e Hamasit në tryezën e negociatave në një kohë kritike”.
Në një deklaratë të ambasadës izraelite në Ottawa thuhet: “Njohja e një shteti palestinez në mungesë të një qeverie përgjegjëse, institucioneve funksionale dhe një qeverie me qëllime të mira është e barabartë me shpërblimin dhe legjitimimin e barbarisë monstruoze të Hamasit më 7 tetor 2023”.
Ndërkohë, presidenca franceze ka mirëpritur vendimin e Kanadasë, duke theksuar se do të angazhohet për të inkurajuar edhe shtetet e tjera drejt këtij qëndrimi, sidomos para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në shtator.
“Jemi të kënaqur që kemi mundësinë të punojmë me Kanadanë për t’i dhënë një shtysë të re perspektivës së paqes në rajonin e Lindjes së Mesme”, thuhet në deklaratën e pallatit të Elizesë.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona në mënyrë që vendet e tjera të mund të marrin pjesë në këtë dinamikë përpara Asamblesë së Përgjithshme”, vijon deklarata, duke shtuar se presidenti francez Emmanuel Macron e kishte diskutuar çështjen me kryeministrin kanadez, Mark Carney, një ditë më parë.