Paraburgim për drejtorin e Inspektoratit të Bujqësisë i dyshuar për ryshfet

Drejtorit aktual të Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Vase Anakiev, i është caktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh pasi u arrestua në një aksion ku dyshohet për marrje ryshfeti, njoftoi Gjykata Themelore Penale në Shkup mbrëmjen e 20 marsit.
“Është pranuar propozimi i Prokurorisë Publike për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj V.A., mbi të tre bazat – rreziku i arratisjes, ndikimi mbi dëshmitarët dhe rreziku i përsëritjes së veprës”, konfirmuan nga gjykata.
Hetimin e udhëheq Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPPOKK), e cila më herët njoftoi se ai dyshohet për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Gjatë muajit mars, drejtori kishte kërkuar para për, siç thekson prokuroria, të “kryejë një veprim zyrtar që do të duhej ta kryente”. Konkretisht, ai kishte ushtruar presion ndaj zyrtarëve që të mos lejonin importin e një malli të caktuar, edhe pse ai ishte importuar shumë herë më parë. Ndaj kompanisë së dëmtuar që importonte mallin, drejtori pretendonte se ai nuk ishte në përputhje me rregulloret ligjore. Si rezultat i presioneve, malli kishte mbetur për disa ditë në kufi.
Kur kompania kërkoi shpjegim, sipas prokurorisë, drejtori kërkoi ryshfet.
“Më 13.03.2026 ishte miratuar hyrja e mallit në një pikë tjetër kufitare, ndërsa i dyshuari në një takim me spediterin dhe importuesin e dëmtuar kërkoi drejtpërdrejt ryshfet për importin e miratuar dhe për importet e ardhshme, duke kërkuar që kësti i parë prej 50.000 euro t’i jepej deri më 19 mars, ndërsa dy këstet e tjera në ditët në vijim”, thuhet nga Prokuroria.
Drejtori u denoncua dhe, më 19 mars, kur mori këstin e parë që kishte kërkuar, policia e arrestoi.
Ky është rasti i dytë i ryshfetit në sektorin e bujqësisë brenda pak muajsh, pasi në nëntor të vitit 2025 u arrestua drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ilija Stoilev.
Në atë kohë, Prokuroria hapi çështje dhe e dyshoi Stoilevin se kishte pranuar premtim për ryshfet prej 50.000 euro nga një drejtues i një subjekti privat juridik, me kusht që të nënshkruante kontratë për përdorimin e mjeteve financiare nga programi IPARD, edhe pse kompania nuk i plotësonte kushtet e thirrjes publike.



