Paraburgim dhe masa kujdesi për tre persona në aksionin “Aditivët”

Gjykata caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin kryesor – i punësuar në një nga personat juridikë të akuzuar, si dhe masa kujdesi për dy persona të tjerë – një zyrtar i punësuar në filialin e TEC Negotinë dhe për kryetaren aktuale të Komisionit për Antikorrupsion, Tatjana Dimitrovska, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë në aksionin e zgjeruar për rastin “Aditivët”.

Gjykatësi i procedurës paraprake, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për caktimin e masave për sigurimin e pranisë dhe masa kujdesi ndaj tre personave të përfshirë në aksionin “Aditivët”, pas deklarimeve të tyre në gjykatë, miratoi propozimet e prokurorit publik.

Kështu, ndaj B.N., i dyshuar për veprat penale: “Shoqatë kriminale”, “Keqpërdorim të procedurës për prokurime publike” dhe “Pastrimi i parave dhe produkteve të tjera nga vepra penale”, është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë, për shkak të ekzistimit të bazave të nenit 165 paragrafi 1 pika 1, 2 dhe 3 të Kodit të Procedurës Penale. Ndërsa për B.P.M. dhe T.D., të dyshuar për veprën penale “Zbulimi i sekretit zyrtar”, gjykata pranoi propozimin për masa kujdesi sipas nenit 146 paragrafi 1 pika 3 dhe 7 të KPP-së, përkatësisht: heqje e përkohshme e pasaportës dhe ndalim për lëshimin e një të reje, si dhe ndalim për kryerjen e aktiviteteve të caktuara të punës të lidhura me veprën penale, informojnë nga Gjykata Penale Themelore në Shkup.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button