Paqartësi për pasurinë e zyrtarëve, digjitalizimi “gjysmak” i RMV-së nuk arrin të gjejë si i kanë fituar paratë

Ndonëse softueri për verifikimin e pasurive është “vënë në funksion”, ai nuk është plotësisht operacional për shkak të mungesës së integrimit me të gjitha institucionet që posedojnë të dhëna kyçe. Aktualisht, sistemi është i lidhur vetëm me disa institucione, ndërsa “procesi i integrimit me institucionet e tjera është në vazhdim”. Për më tepër, “nuk mund të përcaktohet një afat i saktë për integrimin e plotë”, çka lë të hapur paqartësinë se kur do të funksionojë sistemi në mënyrë të plotë dhe të automatizuar, shkruan Portalb.mk.

Sipas përgjigjeve të Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit(KSHPK), moduli i shkëmbimit elektronik është funksional dhe tashmë është integruar me Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Regjistrin Qendror, Agjencinë e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme dhe Depozitën Qendrore të Letrave me Vlerë. Megjithatë, vetë institucioni pranon se “procesi i integrimit me institucionet e tjera është në vazhdim”, duke nënkuptuar se verifikimi i plotë i të dhënave ende nuk është i mundur.

“Moduli i shkëmbimit elektronik të të dhënave është vënë në funksion dhe integrimi është vendosur tashmë me institucionet vijuese: Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Regjistrin Qendror, Agjencinë e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme dhe Depozita Qendrore e Letrave me Vlerë. Procesi i integrimit me institucionet e tjera është në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e KSHPK-së për Portalb.mk.

Pika më problematike mbetet mungesa e një afati konkret.

KSHPK thekson se nuk mund të përcaktohet një afat i saktë për integrimin e plotë, duke e arsyetuar këtë me faktin se procesi varet nga aktivitete paralele për digjitalizimin dhe përmirësimin e sistemeve të informacionit në institucione të shumta. Kjo do të thotë se funksionaliteti i plotë i softuerit nuk varet vetëm nga vetë Komisioni, por nga niveli i digjitalizimit të gjithë administratës publike.

“Në këtë fazë, nuk mund të përcaktohet një afat i saktë për integrimin e plotë, duke pasur parasysh se procesi varet nga aktivitete paralele për digjitalizimin dhe përmirësimin e sistemeve të informacionit në institucione të shumta”, thonë nga KSHPK.

Edhe pse punonjësit e përdorin softuerin brenda fushëveprimit të funksionaliteteve të aktivizuara, kjo tregon se automatizimi është i pjesshëm dhe i kufizuar vetëm në ato institucione që tashmë janë të integruara. Vetë KSHPK pranon se funksionimi i plotë i sistemit kushtëzohet drejtpërdrejt nga shkalla e digjitalizimit dhe gatishmëria teknike e institucioneve.

“Punonjësit e KSHPK-së e përdorin softuerin brenda fushëveprimit të funksionaliteteve të aktivizuara. Verifikimi i automatizuar i të dhënave kryhet në seksionin ku aktivizohet shkëmbimi elektronik. Funksionimi i plotë i sistemit kushtëzohet drejtpërdrejt nga shkalla e digjitalizimit dhe gatishmëria teknike e institucioneve që kanë të dhëna përkatëse. Kjo përfaqëson një rrethanë kyçe kufizuese për krijimin e një sistemi verifikimi plotësisht të automatizuar dhe kërkon aktivitete shtesë drejt digjitalizimit, strukturimit dhe standardizimit të të dhënave”, thuhet në përgjigje.

Kjo situatë e vendos procesin e verifikimit ende në një fazë tranzitore, ku një pjesë e kontrolleve vazhdon të kërkojë përpunim manual dhe komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet. Edhe pse KSHPK paralajmëron se planifikon “të zgjerojë fushëveprimin e institucioneve”, “të përmirësojë zgjidhjen softuerike” dhe të zbatojë “mekanizma të përparuar analitikë dhe të automatizuar”, mbetet e paqartë se kur do të ketë një sistem realisht të shpejtë, të plotë dhe të pavarur nga vonesat institucionale.

“Në periudhën e ardhshme, KSHPK planifikon të zgjerojë fushëveprimin e institucioneve me të cilat do të kryejë shkëmbim elektronik të të dhënave, të përmirësojë zgjidhjen softuerike duke zbatuar mekanizma të përparuar analitikë dhe të automatizuar për verifikimin e të dhënave, si dhe të ofrojë trajnime të vazhdueshme për punonjësit me qëllim maksimizimin e përdorimit të funksionaliteteve të softuerit”, thuhet në përgjigje.

Në thelb, softueri ekziston dhe përdoret, por ende nuk ka arritur nivelin për të cilin është konceptuar, verifikim tërësisht të automatizuar dhe gjithëpërfshirës të pasurive dhe interesave të zyrtarëve.

Rëndësia e softuerit
Softueri i KShPK-së kontrollon nëse zyrtarët nuk kanë deklaruar një pronë të caktuar që e posedojnë. Ky softuer është paralajmëruar që në vitin 2020 dhe po atë vit të vihej në funksion, mirëpo, vetëm në fillim të vitit 2024 është vënë në funksion.

Antikorrupsioni, i destinuar për të luftuar korrupsionin has në vështirësi të shumta për evidentimin e pronës së personave zyrtar, të zgjedhurve, të emëruarve dhe të punësuarve në sektorin publik.

Pasi ka funksionarë që nuk e paraqesin pronën e saktë, evidentimi është i vështirë. Duhet të ketë mekanizëm për të detektuar kur dyshohet për rritje enorme ose rritje mbi nivelin e të ardhurave të ndonjë zyrtari dhe krijon dyshime për punën e përditshme, ku më pas duhet të vijojë edhe hapja e procedurës për verifikim.

Ndryshe, zyrtarët që nuk e paraqesin pasurinë në Komisionin Kundër Korrupsionit marrrin vetëm me gjobë. Qeveria ka disa vite që njofton se do të miratohet Ligji për prejardhjen e pasurisë, me të cilin zyrtarët do të duhet të shpjegojnë pasurinë e fituar në mënyrë disproporcionale dhe nëse nuk e bëjnë këtë, do të konfiskohen, por propozimi nga qeveria e kaluar, tashmë është zhdukur.

Pra, në drejtim të luftimit të korrupsionit duhet të jetë dhe Ligji për Prejardhjen e Pronës. Funksionarët do të vazhdojnë të kenë hapsirë më të madhe për ta fshehur pasurinë edhe për një periudhë të pacaktuar.

Në nëntor të vitit 2021 u tha se propozimi i këtij ligji ishte dërguar në Komisionin e Venedikut, pas çka, po atë muaj, do të duhej të shqyrtohej nga ekspertët vendas, por tani ky propozim ligj është zhdukur pa nam e pa nishan.

Kujtojmë se Komisioni Evropian, në raportin e fundit theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button