Papa Leoni kërkon përfundimin e luftës në Iran, bën thirrje për dialog

Papa Leoni XIV bëri thirrje të fortë për paqe, duke dënuar luftën SHBA–Izrael kundër Iranit dhe duke u bërë thirrje udhëheqësve botërorë t’i japin përparërsi dialogut mbi veprimet ushtarake, transmeton Anadolu.
Gjatë një vigjilie lutjeje në Bazilikën e Shën Pjetrit të shtunën, papa tha: “Mjaft me idhujtarinë e vetes dhe të parave! Mjaft me shfaqjen e fuqisë! Mjaft me luftërat!”
“Fuqia e vërtetë tregohet duke i shërbyer jetës”, shtoi ai.
Papa nuk përmendi drejtpërdrejt udhëheqës, por kritikoi veprimet e “disa të rriturve që mburren me krenari”, duke iu referuar kostos njerëzore të konflikteve.
“Unë marr letra të panumërta nga fëmijë në zonat e luftës… Le të dëgjojmë zërat e fëmijëve!”, tha ai.
Deklaratat e tij erdhën pas komenteve të mëparshme ku ai e quajti “krejtësisht të papranueshme” retorikën se “një qytetërim i tërë do të zhduket” nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur.
Papa Leoni gjithashtu u bëri thirrje liderëve që të angazhohen në negociata për t’i dhënë fund konfliktit.
“Ne u bëjmë thirrje: ndaloni! Është koha për paqe! Uluni në tryezën e dialogut dhe ndërmjetësimit”, tha ai, duke kërkuar shmangien e vendimeve “ku planifikohet riarmatim dhe merren vendime vdekjeprurëse”.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar mijëra viktima gjatë javëve të fundit, deri në arritjen e një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Pakistani.
Teherani është përgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si dhe ndaj Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit ku ndodhen asete amerikane, ndërsa kufizoi lëvizjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
SHBA-ja dhe Irani gjithashtu zhvilluan bisedime në Islamabad të shtunën për t’i dhënë fund luftës, por pa arritur marrëveshje.



