Palestina përshëndet vendimin e Irlandës për t’iu bashkuar padisë kundër Izraelit për gjenocid

Palestina ka përshëndetur vendimin e Irlandës për t’iu bashkuar padisë së Afrikës së Jugut kundër Izraelit për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke u bërë thirrje vendeve të tjera që t’i bashkohen çështjes, transmeton Anadolu.

Mbrëmë, Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës tha se vendimi “konfirmon angazhimin e palëkundur të Irlandës ndaj drejtësisë dhe sundimin ndërkombëtar të ligjit dhe thekson solidaritetin e rrënjosur thellë dhe miqësinë historike” midis dy kombeve.

Ministria palestineze u kërkoi vendeve pjesëmarrëse në Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit që të “angazhohen në mënyrë aktive në procedimet” e padisë së Afrikës së Jugut përpara gjykatës në Hagë.

“Dhënia fund e gjenocidit të vazhdueshëm kundër popullit palestinez dhe lufta kundër mos ndëshkimit të Izraelit janë përgjegjësi që duhet të mbajmë së bashku në interes të njerëzimit dhe ligjit”, theksoi ministria palestineze.

Dje, ministri i Jashtëm irlandez, Micheal Martin tha se vendi i tij do t’i bashkohet zyrtarisht padisë së ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit për gjenocid, duke dënuar “keqtrajtimin kolektiv të popullit palestinez përmes qëllimit dhe ndikimit të veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza, duke lënë 44 mijë të vrarë dhe miliona civilë të zhvendosur”.

Në tetor të vitit 2023, pas një bastisje ndërkufitare nga Hamasi, Izraeli nisi luftë gjenocidale në Rripin e Gazës, e cila deri më tani ka vrarë të paktën 44.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Izraeli tani përballet me një padi për gjenocid në GJND për luftën në Gaza.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, me akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Deri më tani, më shumë se një duzinë vendesh i janë bashkuar çështjes së gjykatës së OKB-së kundër Izraelit, duke përfshirë Türkiyen, Spanjën dhe Meksikën.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button