Pakistani dëbon mbi 84 mijë afganë në përpjekjet e fundit të riatdhesimit

Një zyrtar pakistanez ka bërë të ditur se vendi ka dëbuar më shumë se 84 mijë shtetas afganë që nga fundi i muajit mars si pjesë e përpjekjeve të riatdhesimit, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për media në Islamabad, Talal Chaudhry, një këshilltar i ministrit të brendshëm, tha se refugjatët afganë që dëshirojnë të qëndrojnë në Pakistan pas 30 prillit duhet të marrin një vizë të vlefshme.
Për të qëndruar në Pakistan, afganëve pa dokumente të ligjshme ose atyre që kanë karta qytetare afgane iu është kërkuar të kthehen në shtëpi ose të përballen me dëbim, fillimisht deri më 31 mars, por më pas afati u zgjat deri më 30 prill.
Sipas zyrtarit pakistanez, pothuajse 25 mijë nga të dëbuarit mbanin karta qytetare afgane, ndërsa pjesa tjetër nuk kishin dokumentacion zyrtar.
Chaudhry tha se të dëbuarit po mbahet përkohësisht në qendrat e tranzitit para se të kalojnë kufirin në Afganistan.
Ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Ishaq Dar, raportohet se gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë një vizitë në Kabul.
Ai do të shoqërohet nga një delegacion i nivelit të lartë dhe pritet të takohet me kryeministrin në detyrë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Afganistanit. Gjatë takimeve, ndër të tjera, pritet të diskutohet edhe çështja e refugjatëve.