Paga mesatare neto në shkurt ishte 43.053 denarë

Paga mesatare mujore neto e paguar për të punësuarit, në shkurt të këtij viti, ishte 43.053 denarë, ka njoftuar Enti Shtetëror i Statistikave (ESSH).
Krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar, paga mesatare mujore neto për të punësuarit është rritur për 9.6 për qind.
ESSH sqaron se rritja kryesisht i atribuohet rritjes së pagës mesatare mujore neto në sektorët: Veprimtari që lidhen me pasuritë e paluajtshme me 16.6 për qind, Industria përpunuese me 11.5 për qind dhe Arsimi me 11.4 për qind.
Rritje të pagës mesatare mujore neto për të punësuarit, krahasuar me muajin paraprak, është shënuar në sektorët: Informacion dhe komunikim me 4 për qind, Veprimtari që lidhen me pasuritë e paluajtshme me 3.9 për qind dhe Industria përpunuese me 2.5 për qind.
Në shkurt të këtij viti, paga mesatare mujore bruto ishte 64.634 denarë.



