Pa shenjë

Revista “Shenja” nuk do të botohet më. Në jetëgjatësinë e saj ajo ishte ndër adresat kryesore të mendimit kombëtar e demokratik shqiptar. Në vitet e fundit, madje, e vetmja adresë, teksa Tirana e Prishtina i nxorën nga shtypi revistat e tyre e i transferuan në internetin e pashenjë, ku çdo shkrim zgjat sa çdo çudi – tre ditë e mandej shkon vulëhumbur. Jo pse kam qenë shkrues te “Shenja”, por se kam qenë lexues i saj, do më marrë malli për të.
Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë
A mundet njeriu të rrojë e të shkojë pa shenjë? Pyetje interesante që do të mund të kishte nxjerrë ndonjë novelë të mirë distopike. Vijmë prej pluhurit e në pluhur tretemi. Sa filozofë e teologë e urtakë të llojllojshëm e ftojnë njerëzimin drejt paqes me këtë fakt, megjithatë njeriut nuk i fle e qetë ideja e të ikurit pa lënë shenjë, si vulëhumbur, pa lënë as nam e as nishan… madje as filozofit, teologut a urtakut që nuk shkon “gentle into that good night” pa i thënë të vetat, pa e lënë shenjën.
Ndoshta kjo është botë e shenjës, e shenjëtarëve, e shenjuesve, e shënjestrave, ndërsa vetëm ajo tjetra, e shenjta e pashenjë.
Një producent humori në Tiranë dikur e çeli një televizion, ku vajza simpatike të veshura veç me një setër e me asgjë poshtë, transmetonin lajmet. Pamjet e atij televizioni që nuk jetoi gjatë, ende shëtisin në sokaqet internetore globale, shoqëruar shpesh me komentin “ja si jepen lajmet në Shqipëri”. Në fakt “Zjarr TV” nuk është se ndryshonte fort nga simotrat e veta “serioze”, as në redaktimin e lajmeve e as në kriteret e përzgjedhjes së gazetarëve. I zoti i televizionit, Ismet Drishti, në një intervistë të mëvonshme, shpjegon se synimi i tij ishte shfaqja “e të vërtetës lakuriq”. Parodi jo pak e mençur për televizionet e tjera, ku lakuriqësia nuk mungon, por ndjehet se mungon e vërteta. A mund të gjendet e vërteta “on air”? Apo “on line”?
Një revistë që ende botohet në letër, “Playboy”, e cila është e famshme më shumë për lakuriqësinë e bukur sesa për tekstet e artikujve, megjithatë ka artikuj të mirë, shpesh dhe hulumtime e analiza të thelluara. Herë pas here i lexoj e mendoj mos vallë lakuriqësinë e mbajnë thjesht për ta respektuar traditën e tyre, ndërsa shkrimet i botojnë për të thyer tabu? “E ndaluar” sot nuk është më lakuriqësia, që gjendet kudo, me a pa pagesë, me a pa porosi, si shenjë e kohës. E teksa lakuriqësia shpeshtohet, intimiteti humb, riprodhueshmëria bie, joshja kthehet në mpirje. “I ndaluar” është teksti, shkrimi i shtypur, mendimi i thelluar, që kalon disa filtra redaktimi prej vetë shkruesit para se të dërgohet, mandej edhe disa të tjerë nga redaktorët para se të botohet. Shkrimi që në dorë të lexuesit nuk kërkon reagimin e shpejtë me komentin e parë që të bie në mendje, as nuk kërkon “lajka” e “zemra” ose emoji përqeshës. Kjo është tabuja e kohës sonë, që mbase josh, si nostalgjia për rininë, si era e letrës apo e bojës mbi kartë…
Në numrin e fundit të “Playboy” botohej një hulumtim mbi diçka që po i ndodh internetit, atij “jo-vendi” ku shumica dërrmuesve e bashkëkohasve tanë kanë depozituar kujtimet, krijimet, dijet e kuptimet e tyre. Simbas hulumtuesve, teksa interneti rritet përtej mundësive energjetike të globit, fshehurazi, pjesë të tij po fshihen. Po zhduken pa nam e nishan arkiva, diskutime, forume, foto, shkrime e publikime, të kota e të plota. Hulumtimi më shpjegoi pse nuk i gjej dot më disa tekste të mitë mbi dy dekada të vjetër. Në internetin gjithnjë e më të mbushur me tekste të shkruar me AI, si oqeani që mbushet me qese plastike, nuk mund të jetojnë pafundësisht shkrimet e tekstet e veprat e tjera të arkivuara online. Arkivat e vetme mbijetuese do të jenë ato klasiket. Prandaj “Playboy” vazhdon të botohet, duke i vënë çdo muaji emrin e një vajze të shpenguar.
Revista “Shenja” nuk do të botohet më. Në jetëgjatësinë e saj ajo ishte ndër adresat kryesore të mendimit kombëtar e demokratik shqiptar. Në vitet e fundit, madje, e vetmja adresë, teksa Tirana e Prishtina i nxorën nga shtypi revistat e tyre e i transferuan në internetin e pashenjë, ku çdo shkrim zgjat sa çdo çudi – tre ditë e mandej shkon vulëhumbur. Jo pse kam qenë shkrues te “Shenja”, por se kam qenë lexues i saj, do më marrë malli për të. Nuk e di se si po shkon puna e kulturës sonë, kur si shqiptarë jemi i vetmi komb në kontinent që nuk mund të lexojë më shtypin e ditës, as atë të javës e as atë të muajit. A është kjo pse jemi kombi më modern? Apo se jemi më të shpërqendruarit, më të rrokanisurit nga attention-deficiti?
Në shkurt takova një diplomat plak nga një vend europian jo fort i madh, por i pasur. U bëmë miq pa interesa, teksa diskutonim me pasion për çështje aktualiteti ndërkombëtar, ai si pensionist e unë si aktivist. E pyeta se ku mund të lexoj për doktrinën diplomatike të vendit të tij, që si çdo vend i pasur ka jo pak ndikim ndërkombëtar. Më befasoi kur më tha se nuk kanë doktrinë, nuk botojnë të tilla. Madje, as fjalimet e liderëve shtetërorë për çështje ndërkombëtare nuk i botojnë si tekst, por vetëm audio e video. Pse kaq gramofobë, e pyeta? Jemi vend i vogël, tha, doktrina kërkon peshë specifike për të qëndruar, e ne nuk e kemi. Nuk mjaftojnë paratë për të patur doktrinë. Opinioni i diplomatit plak i përngjan asaj skenës së filmit korean “Paraziti”, që fitoi Oskar pak vite më parë: një familje e varfër pas një vërshimi përfundon pa shtëpi, strehuar në një sallë sportesh bashkë me shumë familje të tjera. “Cili është plani tash, babë?”, e pyesin fëmijët, e baba u përgjigjet se jo vetëm që s’ka plan, por se të varfërit as që munden të kenë plan. Paratë nuk mjaftojnë, as varfëria nuk mjafton. Teksti kërkon peshë të rëndë në këtë botë ku edhe luftërat që marrin mijëra jetë njerëzish, mijëra jetë fëmijësh, nuk po udhëhiqen më nga mendime njerëzore, por nga vendime motorike, të përcaktuara nga AI, pra vendime subhumane, nën-menduese. Por, heqja dorë nga teksti, mos vallë i hap rrugë pragmatizmit ekstrem, deri në kufijtë e korrupsionit? Tash edhe politikanët e partitë politike nuk nxjerrin më programe të shkruara. Se nuk mund të jesh populist e pragmatist njëherazi nëse nxjerr tekste. Votuesit në të ardhmen mund të kërkojnë llogari nëse ke botuar program ose tekste, prandaj ato duhen minimizuar a anashkaluar krejt. Ndoshta njeriu e heton më lehtë të pavërtetën në formë të shkruar. Mirë se vjen në politikën e statuseve, shpërndarjeve e lajkave, në politikën e debatit të mbrëmjes, ku dominon batuta a vulgariteti.
Tekste gjithnjë e më pak botohen, por pa tekste të reja njerëzore AI-ja do të fillojë të zgjerohet pa risi, duke ripërtypur tekstet e njëjta, duke i rikombinuar pafundësisht. Si tek “infinite monkey theorem”. Ndërsa majmuni i pambarimtë, që as shkruan e as mëson e as mendon, bëhet spektatori perfekt që as lakuriqësinë masturbuese nuk e kërkon më në shtratin e natës a fshehurazi në faqet e “Playboy”-t të kohëve të shkuara, por e merr në formë droge sintetike, te nimfat e prodhuara e të shitura në rrjete sociale nga e njëjta AI që po flasim.
A është ky kulmi i nxitimit katastrofopetal të kulturës sonë, sipas fantazisë së Paul Virilios? A është kulmi i spektaklit të Guy Debordit? A është falsiteti absolut simbas formulës Baudrillardiane?
Nuk e di. Por, “Shenja” do të më mungojë. Pa shenjë nuk mundet njeriu të mendojë, e as të kuptojë. Shenjat e duarve primitive në muret e shpellave janë fillimi i kulturës njerëzore mbi tokë. Mos mbetshim fare pa shenjë!



