Pa konsensus politik, Kuvendi i Kosovës mbetet ende i pa konstituuar

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që Kuvendi i Kosovës të konstituohet jo më larg se 30 ditë, në mungesë të një marrëveshje politike për të 39-tën herë është shënuar edhe një përpjekje e dështuar për konstituimin e këtij institucioni legjislativ, raporton Anadolu.
Kryesuesi i seancës, ashtu sikurse nga 1 maji, propozoi krijimin e komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin e tyre për këtë komision.
Madje, përfaqësues të partive të opozitës dolën në foltore duke kritikuar partinë më të madhe, Lëvizjen Vetëvendosje, si shkelëse të Kushtetutës së Kosovës.
Nga 95 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 53 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
“Ndërpritet seanca, shihemi përsëri më 1 korrik në orën 11:00”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Më 28 qershor u zhvillua një takim midis krerëve të partive parlamentare, me qëllim të gjetjes së një konsensusi politik për formimin e institucioneve të reja, por pa rezultate konkrete.
Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Nga 61 vota të nevojshme, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, respektivisht më së voni deri më 26 korrik.
Në aktgjykimin e publikuar, gjykata po ashtu konstatoi që seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimi i saj çdo 48 orë, nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.