Oxfam për gjendjen në Gaza: Njerëzit po vdesin nga uria

Bushra Khalidi, drejtuese e politikave në territorin palestinez të pushtuar për organizatën ndërkombëtare të ndihmës Oxfam, tha se stafi i tyre po rrezikon të qëllohet me armë vetëm pse qëndron në radhë për ushqim në Gaza.
“Kolegia ime më tha të shtunën se shkoi në punë pa pasur as ujë për të pirë, hëngri vetëm një falafel për të mbajtur veten dhe megjithatë prapë u paraqit në punë”, tha Khalidi.
Ajo shtoi se një kolege tjetër i kishte thënë se tashmë nuk besonte më se intervistat apo lutjet për ndihmë po kishin ndonjë efekt.
“Prandaj ajo nuk është këtu sot me ne për të folur, dhe jam unë në vend të saj,” shtoi Khalidi.
“Kemi dëgjuar nga prindër që ziejnë gjethe pemësh për të ushqyer fëmijët, nga punonjës ndihme që kanë djegur rrobat e tyre për të gatuar copat e fundit të thjerrëzave që u kanë mbetur, nga nëna që na kanë thënë: ‘Djali im vdiq nga uria, mu para syve të mi, sepse trupi i tij nuk e përballoi dot më’”, tregoi ajo.
“Kjo nuk është dështim humanitar,” përfundoi Khalidi. “Kjo është një politikë e qëllimshme, dhe ndihma po bllokohet. Njerëzit po vdesin nga uria”. /Al Jazeera/