Osmani: Vuçiq përgjegjës për ndalimin e qytetarëve në pikat kufitare

Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar veprimin e sotëm të Serbisë si hakmarrje ndaj qytetarëve të Kosovës, një ditë pas votimit pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ajo përgjegjës për ndalimin dhe maltretimit e qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare të Serbisë e ka bërë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës, një ditë pas votimit të Këshillit të Evropës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, duke mbajtur peng shumë prej tyre në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi”, ka shkruar Osmani në platformën X.
“Një njeri është përgjegjës për këtë: Vuçiq. U bëj thirrje partnerëve tanë për veprim të shpejtë”, ka shtuar presidentja.
Institucionet e Kosovës kanë njoftuar të mërkurën se Serbia ka ndaluar dhjetëra autobusë me udhëtarë nga Kosova në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë.