Osmani thotë se dallimet me Kurtin janë të tejkalueshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të mërkurën se dallimet mes krerëve shtetërorë janë te tejkalueshme kur interesi shtetëror dhe qytetar vihet mbi të gjitha, duke thënë se nuk ka luftë politike me Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti.

Në javët e fundit u raportua për “prishjen” e mundshme të raporteve mes Osmanit dhe Kurtit, pasi presidentja kishte thënë se Qeveria nuk ishte konsultuar me të, lidhur me hapat që ka bërë Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj.

Kurti i hodhi poshtë këto pretendime të martën, duke thënë nuk beson që ekzistojnë dallime të patejkalueshme mes tij dhe Osmanit.

E pyetur të mërkurën pas një takimi me kryetarët e komunave rreth deklaratës së Kurtit, Osmani tha se “natyrisht që kur vendoset interesi shtetëror dhe interesi qytetar mbi të gjitha, çdo dallim është i tejkalueshëm”.

Ajo tha se tani është “e domosdoshme” që të gjitha institucionet dhe të gjitha partitë politike të ulen dhe të “reflektojmë për temat e interesit nacional”.
“Për mua temat e interesit nacional nuk janë detaje të parëndësishme, janë tema që kërkojnë kontributin e secilit prej nesh. Kur ulemi së bashku e vendosim, atëherë domosdoshmërisht rezultati do të jetë i mirë, siç ka dëshmuar historia për këto 25 vjet”, tha presidentja.

Osmani tha në maj se nuk u konsultua për letrën që ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ia kishte dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, më 16 maj.

Bërja e hapave drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë kusht për Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë lidere në fushën e të drejtave të njeriut, në muajin maj.

Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës patën thënë se gjatë muajit maj do të dërgonin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një propozim për formim të Asociacionit, mirëpo zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë vlerësuar se diçka e tillë ka qenë e pamjaftueshme për të plotësuar kushtin.

Lista Guxo, e cila është themeluar nga presidentja Osmani, së bashku me ministren Gërvalla, pati garuar në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.

Guxo, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, patën fituar mbi 50 për qind të votave.

Qeveria e re, në krye me Kurtin, u formua më 22 mars të vitit 2021. Osmani u zgjodh presidente pak ditë më vonë, më 4 prill 2021./REL

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button