Osmani: Pres me padurim presidentin e Kenias ta vizitojë Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani, një ditë pas njohjes së Kosovës nga Kenia, ka zhvilluar një bisedë me presidentin e këtij vendi, William Ruto, me të cilin kanë diskutuar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Osmani, përmes një postimi në platformën “X”, ka thënë njohja e Kosovës nga Kenia është një akt i vërtetë miqësie “që forcon pozitën tonë globale dhe përpjekjet tona të përbashkëta për paqe dhe siguri”.
“Shpreha mirënjohjen e thellë në emër të popullit të Kosovës dhe rikonfirmova përkushtimin tonë për vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike”, ka shkruar Osmani, transmeton Telegrafi.
Tutje Osmani ka thënë se kanë vazhduar bisedën nga takimet e tyre të mëparshme për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në tregti, arsim, turizëm dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
“Të dyja vendet tona janë të përkushtuara për hapjen e misioneve diplomatike si një hap konkret drejt një partneriteti të fortë dhe të qëndrueshëm. Pres me padurim të mirëpres presidentin Ruto në Kosovë dhe të vizitoj Kenian së shpejti, siç kemi diskutuar prej disa kohësh”.
Osmani tha se “Kenia mund të llogarisë në Kosovën si aleate dhe partnere të vërtetë. Fillon një kapitull i ri i partneritetit!”.