Osmani: Pas 25 vitesh, shqiptarët më në fund me ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani, në konferencë për media e cilësoi miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat si një moment historik, duke theksuar se pas dekadash premtimesh, kjo çështje po merr zgjidhje konkrete.
“Pas gati 25 vitesh, shqiptarët më në fund kanë ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, deklaroi Osmani, duke shtuar se kjo temë është përdorur për vite me radhë për qëllime politike pa u zgjidhur realisht.
Ai kritikoi qasjen e deritanishme, duke theksuar se “që nga viti 2001 e deri më sot, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është përdorur për propagandë e për mashtrim politik”, ndërsa theksoi se mungesa e vullnetit ka penguar miratimin e një ligji të tillë deri më tani.
Sipas Osmanit, ligji i ri vendos për herë të parë mekanizma konkretë dhe përgjegjësi të qarta institucionale.
“Për herë të parë, kjo çështje nuk mbetet pa zot shtëpie. Themelohet trup koordinues qeveritar që do të monitorojë dhe garantojë zbatimin”, u shpreh ai.
Ai nënvizoi gjithashtu se ligji sjell ndryshime thelbësore në mënyrën e zbatimit, duke eliminuar keqpërdorimet e deritanishme.
“Nuk do të ketë më vetëdeklarime të rreme dhe mashtrime në kurriz të shqiptarëve. Do të ketë metodologji të bazuar në të dhëna reale”, tha Osmani.
Duke folur për hapat e ardhshëm, ai theksoi se brenda gjashtë muajve duhet të harmonizohet i gjithë legjislacioni me këtë ligj, duke shtuar se kjo reformë synon të vendosë rregull dhe standarde të qëndrueshme.
Në fund, Osmani bëri dallimin mes qasjeve politike ndër vite, duke deklaruar se “ata për 25 vite e lanë këtë plagë hapur sepse u duhej për politikë, ndërsa ne po e mbyllim me ligj”, duke përmbyllur me mesazhin: “Shqiptarët nuk janë vegël. Shqiptarët janë ligj.”



