OSBE-ja në telashe financiare, edhe misioni në Kosovë në rrezik

Mungesa e konsensusit midis shteteve anëtare për t’ia miratuar buxhetin, i ka vënë në rrezik programet të cilat është duke i zbatuar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nëpër vende të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën. Ky alarm është ngritur nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara javën e kaluar në Vjenë, kur është diskutuar mbi raportin për Kosovën.

Misionet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përfshirë atë në Kosovë, janë duke u ballafaquar me vështirësi në përmbushjen e objektivave, për shkak të kufizimeve buxhetore.

Shqetësimin e kanë adresuar përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në takimin e javës së shkuar në Vjenë, ku është diskutuar mbi raportin e OSBE-së për Kosovën.

“Fatkeqësisht, Misioni i OSBE-së në Kosovë – si të gjitha misionet e tjera në terren, Sekretariati dhe institucionet e pavarura – përballen me vështirësi të konsiderueshme operacionale për shkak të kufizimeve të rënda financiare”, ka thënë Katherine Brucker, ambasadore e SHBA-së në OSBE.

Ajo ka përmendur paaftësinë e vendeve anëtare në miratimin e buxhetit për OSBE-në.

“Paaftësia e shteteve anëtare për të arritur konsensus mbi një buxhet të unifikuar ka vënë në presion të panevojshëm aftësitë e të gjitha misioneve në terren për të kryer me efikasitet mandatet e tyre, duke dëmtuar gjithçka, nga personeli dhe burimet deri te zbatimi i programit. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve pjesëmarrëse të miratojnë Buxhetin e unifikuar sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe thjesht dua të theksoj këtu se ne kemi një mundësi të artë në dy muajt e ardhshëm për të miratuar buxhetet e unifikuara për vitet 2024 dhe 2025, dhe duke e bërë këtë për ta vendosur OSBE-në në baza të shëndosha”, ka shtuar ajo.

Ky shqetësim është përmendur edhe për misionet e OSBE-së në vendet e tjera, si Shqipëria dhe Taxhikistani.

OSBE-ja në Kosovë është ndër misionet më të mëdha ndërkombëtare dhe mandati kryesor i tij përqendrohet në demokratizim, ndërtim të institucioneve dhe të drejtat e njeriut.

Në fushën e mbrojtjes dhe në promovimin e të drejtave të njeriut, angazhim i OSBE-së konsiston në qeverisjen e mirë, barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen qytetare, trajnimin e personelit gjyqësor, të Policisë së Kosovës, nëpunësve civilë, si dhe mbështetjen e zgjedhjeve.

Në zyrën e OSBE-së në Prishtinë nuk kanë ofruar më shumë informacione lidhur me kufizimet që mund të ndikojnë në programet, të cilat organizata është duke i implementuar.

Një hulumtim i magazinës “Politika dhe Shoqëria dhe Shoqëria Ndërkombëtare”, me bazë në zyrën e Fridrich Ebert Stiftung (FES) në Bruksel, ka shkruar se që nga 24 shkurti i vitit 2022, mbi OSBE-në është shtuar presioni pasi që vendimet kryesore politike duhet të merren me pëlqimin e të 57 qeverive. Por me bllokimin e konsensusit nga Rusia, aftësia e organizatës për të vepruar është kufizuar shumë.

“Situata kritike buxhetore është një burim i vazhdueshëm shqetësimi. Inflacioni po shter burimet dhe asnjë buxhet vjetor nuk është miratuar që nga viti 2021. Në vend të kësaj, mbeten vetëm buxhetet mujore emergjente – që janë jo siguri e planifikimit të zakonshëm për një organizatë ndërkombëtare”, shkruan kjo magazinë.

Aktualisht, OSBE-ja është e vetmja organizatë rajonale ku takohen në një vend përfaqësues nga SHBA-ja, dhe dy të shteteve që janë në luftë – Rusia dhe Ukraina.

“Kështu, OSBE-ja do të ishte vendi i duhur për negociata për paqen në Ukrainë. Organizata ka vendosur gjithashtu standarde globale, për shembull në mbrojtjen e pakicave dhe vëzhgimin e zgjedhjeve”, shkruan aty.

KOHA ka raportuar të hënën se në seancën e njëjtë përfaqësues të shteteve anëtare janë pajtuar me vlerësimin e raportit të OSBE-së për mungesën shqetësuese të përparimit drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, “i cili vazhdon të ketë implikime negative në jetën e përditshme të qytetarëve të zakonshëm dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, Neil Holland, ka kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për të gjitha aktet e dhunës në veri të Kosovës, të cilat kanë kulmuar me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Sa i përket dialogut, ai ka kërkuar prej palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive derisa Kosovës ia ka përmendur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka folur edhe për rëndësinë e koordinimit të veprimeve që prekin komunitetin serb.

Ndërkaq ambasadorja e SHBA-së në OSBE, Katherine Brucker, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç është rënë dakord nga të dyja vendet, është thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal. Ajo ka shprehur besimin se normalizimi duhet të përfundojë me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi që të dyja ato kërkojnë të realizojnë aspiratat për anëtarësim në BE. Diplomatja amerikane po ashtu ka shprehur keqardhje për faktin se Kosova ende nuk është anëtare e OSBE-së, teksa ka shtuar se mezi e pret ditën kur kjo të ndodhë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button