Orban pretendon se sulmet terroriste në Evropë lidhen me krizën e emigrantëve
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka deklaruar se ekziston një lidhje midis migrimit dhe sulmeve në zona si tregu i Krishtlindjeve në Gjermani, transmeton Anadolu.
“Lidhja midis migrimit dhe këtyre sulmeve terroriste duhet të njihet. Në të kaluarën sulme të tilla nuk ndodhnin, por tani ndodhin”, tha Orban në konferencën vjetore për media në Budapest.
Kryeministri hungarez theksoi se “duhet pritur disa ditë” për të dalë në përfundime, duke shtuar se “duhet të thuhet se këto sulme kanë ndodhur vetëm që nga kriza e emigracionit”.
Mbrëmë, në një sulm me automjet në tregun e Krishtlindjeve në qytetin gjerman Magdeburg, sipas informacioneve të fundit, katër persona humbën jetën dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.
Orban foli edhe për qëndrimin, siç tha, të “elitës liberale nga Brukseli” ndaj Hungarisë.
“Ka një elitë liberale në Bruksel dhe ka një opozitë. Hungaria është pjesë e kësaj opozite dhe prandaj e gjobisin me milionë euro në ditë, sepse mbron Evropën nga ajo që ndodhi për shembull në Magdeburg”, tha Orban.
Hungaria e mori presidencën e Këshillit të BE-së nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit 2024 dhe nga 1 janari i vitit 2025 këtë rol do ta marrë Belgjika.