Opozita sllovene kërkon hetim për rastet e vjedhjes së foshnjave

Partitë opozitare në Slloveni kanë paraqitur një kërkesë për një hetim parlamentar për pjesëmarrjen dhe përgjegjësinë e mundshme të zyrtarëve publikë në rastet e vjedhjes së foshnjave në atë vend midis viteve 1965 dhe 1991, tha sot deputetja e Partisë Demokratike Sllovene (SDS) Alenka Jeraj.
“Në të ashtuquajturën tregti të foshnjave, që ka ndodhur kryesisht në vitet 70-80 në ish-Jugosllavi, mund të jenë shitur më shumë se 20 mijë”, tha Jeraj dhe shtoi se një shoqatë serbe po bashkëpunon për këto raste, raportojnë mediat sllovene.
Vitin e kaluar, Shoqata Sllovene e Prindërve të Fëmijëve të Vjedhur ia paraqiti këtë problem Komisionit Parlamentar për Peticione, të Drejtat e Njeriut dhe Shanseve të Barabarta me dokumentacionin shoqërues, ndërsa ministrja e Brendshme Tatjana Bobnar premtoi se shërbimet kompetente do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë.
Jeraj tha se autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë, duke u shprehur se në hetimin policor nuk është përfshirë personeli mjekësor i përfshirë në disa raste të vjedhjes së foshnjave dhe policia nuk ka marrë dokumentacionin nga shoqata e prindërve.
Kryeministri slloven Robert Golob vuri në dukje në fillim të kësaj jave se 45 nga 59 rastet e vjedhjeve të dyshuara të foshnjave tashmë janë mbyllur.



