Opozita polake proteston kundër arrestimit të dy ish-ministrave
Polonia nuk po gjen qetësi nga protestat e opozitës. Mijëra mbështetës të saj u mblodhën jashtë parlamentit të enjten për të protestuar kundër ndryshimeve të qeverisë së re në median shtetërore dhe burgosjes së dy ish-ministrave të dënuar së fundmi për shpërdorim detyre.
Marshimi pasqyron tensionet në rritje në vend ndërsa qeveria e re e koalicionit pro-Bashkimit Europian udhëhequr nga Donald Tusk përpiqet të zhbëjë politikat e administratës së mëparshme nacionaliste të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Një det me flamuj polakë kuq e bardhë u shtri nga parlamenti, ndërthurur me pankarta me slogane të tilla si “Liria e fjalës”. Protestuesit brohoritën gjithashtu “Media e lirë!”
Protesta erdhi ndërsa presidenti Andrzej Duda, një aleat i PiS, tha të enjten se ka filluar procedurat për të falur dy ministrat e qeverisë së kaluar, të cilët u burgosën këtë javë për shpërdorim detyre, duke përshkallëzuar konfliktin me qeverinë e re.
Agjencia shtetërore e lajmeve PAP citoi Bashkinë e Varshavës që tha se numri i protestuesve arriti në rreth 35,000 vetë, ndërsa një zëdhënës i partisë Ligj dhe Drejtësi PiS tha se në rrugë dolën pothuajse 200,000 vetë.Klan News



