OpenAI gati të zbatojë Kodin e ri të BE-së për Inteligjencën Artificiale

Bashkimi Evropian pritet të miratojë zyrtarisht më 22 korrik Kodin e Praktikës për Inteligjencën Artificiale për Qëllime të Përgjithshme (GPAI), një paketë rregullash vullnetare që synon të ndihmojë kompanitë teknologjike të përshtaten me Aktin e Inteligjencës Artificiale të BE-së.

Burime për Euronews konfirmojnë se miratimi i Kodit nga shtetet anëtare dhe Komisioni Evropian do t’i hapë rrugën regjistrimit të ofruesve të sistemeve të IA-së, disa ditë para se të hyjnë në fuqi dispozitat e para të Aktit më 2 gusht.

Kodi është hartuar nga ekspertë të emëruar nga Komisioni dhe synon të udhëzojë zhvilluesit e modeleve të fuqishme si ChatGPT i OpenAI apo Gemini i Google që të jenë në përputhje me kërkesat ligjore evropiane.

Regjistrimi vullnetar pritet të sjellë më shumë siguri ligjore për kompanitë pjesëmarrëse, ndërkohë që ato që zgjedhin të mos marrin pjesë mund të përballen me kontrolle më të ashpra.

Dokumenti, i cili ishte planifikuar të publikohej në maj, u përball me vonesa dhe kritika të ashpra nga përfaqësues të industrisë, përfshirë gjigantët e teknologjisë dhe mbrojtësit e të drejtave të autorit.

Këta të fundit shprehën shqetësimin se Kodi mund të cënojë të drejtën e autorit dhe të kufizojë hapësirën për inovacion.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian e sheh Kodin si një instrument të dobishëm për të përgatitur tregun evropian për rregullat më të rrepta që vijnë me Aktin për IA-në, i cili është projektuar për të rregulluar teknologjitë e inteligjencës artificiale në bazë të nivelit të rrezikut që ato paraqesin për individët dhe shoqërinë.

OpenAI ka reaguar pozitivisht, duke deklaruar se do të angazhohet me Kodin sapo ai të finalizohet, duke e quajtur një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të Planit të Veprimit për një “Kontinent të IA-së”, të shpallur nga BE në prill.

Megjithatë, publikimi i Kodit ka shkaktuar reagime të përziera. Organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve, si BEUC, dhe institucionet për të drejtat digjitale si CDT kanë shprehur rezerva.

Zyrtari i lartë i BEUC, Cláudio Teixeira, e përshëndeti Kodin si një “hap në drejtimin e duhur”, por paralajmëroi se ai nuk duhet të zëvendësojë rregulloret detyruese, por t’i përforcojë ato.

Edhe Laura Lazaro Cabrera nga CDT Europe vlerësoi përpjekjet, por theksoi se dokumenti nuk përfshin masa të thelluara për vlerësimin dhe reduktimin e rreziqeve.

27 shtetet anëtare të BE-së pritet të përfundojnë vlerësimin e Kodit gjatë javës së ardhshme.

Nëse miratimi përfundimtar do të vijë në kohë, atëherë ofruesit e sistemeve të inteligjencës artificiale do të mund të regjistrohen zyrtarisht përpara datës kritike të 2 gushtit, kur fillon zbatimi i parë i Aktit për IA-në.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button