OKB: Sulmet në rritje të Rusisë ndaj Ukrainës do të shtojnë koston e rimëkëmbjes prej 524 miliardë dollarësh

OKB-ja ka paralajmëruar se përshkallëzimi i fundit i sulmeve ruse ndaj Ukrainës po rrit koston tashmë marramendëse prej 524 miliardë dollarësh të rindërtimit dhe rimëkëmbjes së parashikuar gjatë dekadës së ardhshme, transmeton Anadolu.
Ndihmës sekretar i përgjithshëm i OKB-së për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenca, tha se “në fund të vitit të kaluar, tashmë kostoja totale e rindërtimit dhe rimëkëmbjes në Ukrainë ishte vlerësuar në 524 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.
Jenca gjithashtu tha se viktimat civile në Ukrainë kanë arritur një nivel rekord prej tre vitesh deh citoi Zyrën e Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), duke theksuar se “në qershor viktimat civile në Ukrainë arritën një nivel rekord prej tre vitesh”.
“Vetëm në gjysmën e parë të vitit, 6.754 civile u vranë ose u plagosën”, tha ai.
Sipas autoriteteve ukrainase, shtoi ai, Rusia lëshoi të paktën 5.183 municione me rreze të gjatë veprimi në korrik, duke përfshirë një rekord prej 728 dronësh me rreze të gjatë veprimi më 9 korrik.
“Askund nuk është sigurt në Ukrainë”, paralajmëroi ai.
Duke cituar OHCHR-në, Jenca raportoi se që nga fillimi i luftës, të paktën 13.580 civilë, përfshirë 716 fëmijë, janë vrarë dhe 34.115 të tjerë janë plagosur, përfshirë 2.173 fëmijë.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për viktimat e raportuara civile nga sulmet me dronë ukrainas brenda territorit rus.
Duke theksuar se “ligji ndërkombëtar ndalon qartë sulmet kundër civilëve dhe infrastrukturës civile”, ai tha se: “Dënojmë fuqishëm të gjitha sulmet e tilla kudo që ndodhin. Ato duhet të ndalen menjëherë”.
Ai gjithashtu paralajmëroi për kërcënime në rritje ndaj sigurisë bërthamore, pasi dronët zbulohen rregullisht pranë centraleve bërthamore në funksion të Ukrainës.
Jenca përshëndeti bisedimet e drejtpërdrejta midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Stamboll. Ai shprehur mirënjohje për “përpjekjet domethënëse të Turqisë, SHBA-së dhe aktorëve të tjerë përkatës për të ndihmuar në ruajtjen e momentit të nevojshëm diplomatik”.
“Çdo shkëmbim dhe riatdhesim i tillë lehtëson dhimbjen e familjeve të prekura dhe shërben si një kujtesë se diplomacia mund të funksionojë”, tha Jence, duke iu referuar shkëmbimit të të burgosurve dhe mbi 7 mijë mbetjeve mortore.
Duke i bërë jehonë urgjencës, zv/koordinatorja e Ndihmës Emergjente e OKB-së, Joyce Msuya, theksoi situatën humanitare në përkeqësim të ndjeshëm në Ukrainë.
“Në gjysmën e parë të vitit 2025, u regjistruan gati 50 për qind më shumë viktima civile krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gati 13 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë, por financimi i kufizuar do të thotë se ne mund të arrijmë vetëm një pjesë të tyre”, tha Msuya, duke paralajmëruar se vetëm 34 për qind e planit të reagimit humanitar prej 2.6 miliardë dollarësh është financuar.