OKB: Shkelje shumë-shtresore e të drejtave të palestinezëve në Bregun Perëndimor

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka paralajmëruar se situata në Bregun Perëndimor të pushtuar është “alarmante” pasi atje po ndodhin “shkelje shumë-shtresore të të drejtave të njeriut të palestinezëve”, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media në Gjenevë, zëdhënësja e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, Elizabeth Throssell tha se forcat izraelite kanë “përdorur gjithnjë e më shumë taktika ushtarake dhe armë në operacionet e zbatimit të ligjit, përfshirë një operacion gjatë natës që përfshin sulme ajrore në kampin e refugjatëve Jenin”.

Ajo theksoi se ligji ndërkombëtar ndalon “përdorimin e qëllimshëm të forcës vdekjeprurëse”. “Dhuna e kolonëve, e cila tashmë është në nivele rekord, është përshkallëzuar në mënyrë dramatike, mesatarisht shtatë sulme në ditë”, tha Throssell, duke shtuar se në më shumë se një të tretën e këtyre sulmeve është përdorur armë zjarri.

Zyra e të drejtave të njeriut e organit ndërkombëtar dokumentoi se kolonët në shumë raste u panë me anëtarë të forcave izraelite ose ishin të veshur me uniforma dhe të armatosur me pushkë. “Së bashku me mosndëshkimin pothuajse total për dhunën e kolonëve, ne jemi të shqetësuar se kolonët e armatosur kanë vepruar me pranimin dhe bashkëpunimin e forcave dhe autoriteteve izraelite”, tha ajo.

Duke theksuar se pothuajse 1 mijë palestinezë janë dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre që nga 7 tetori, Throssell tha se “në këto rrethana, dhuna e kolonëve mund të jetë transferimi i dhunshëm i një popullsie, një shkelje e rëndë e Konventës së Katërt të Gjenevës”.

“Izraeli, si fuqi pushtuese, ka për detyrë të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e popullsisë së pushtuar sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar. Në incidente të përsëritura, kolonët e armatosur u kanë dhënë ultimatume komuniteteve palestineze që të lëshojnë shtëpitë e tyre ose do të vriten”, theksoi ajo.

Më tej, Throssell tha se forcat izraelite thuhet se kanë arrestuar vetëm dy kolonë pavarësisht se qindra kolonë janë përfshirë në këtë dhunë të përditshme që nga 7 tetori. Gjatë të njëjtës periudhë, shtoi ajo, pothuajse 2 mijë palestinezë janë arrestuar nga forcat izraelite.

“Ne kemi marrë raporte të besueshme dhe të qëndrueshme që tregojnë një rritje të mëtejshme të keqtrajtimit të të burgosurve, që në shumë raste mund të përbënte torturë. Dy palestinezë të arrestuar që nga 7 tetori kanë vdekur në paraburgim. Të arrestuarve thuhet se nuk u jepet procesi i duhur dhe garancitë gjyqësore, siç kërkohet nga ligji ndërkombëtar”, tha ajo.

Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e Hamasit më 7 tetor. Gati 10.800 njerëz janë vrarë në konfliktin aktual, përfshirë të paktën 9.227 palestinezë dhe mbi 1.538 izraelitë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button