OKB publikon raportin, gjendja e të drejtave të njeriut është përkeqësuar në Ukrainë dhe në territoret e pushtuara ruse

Organizata e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut thotë se gati tre vite pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, gjendja e të drejtave të njeriut në këtë shtet dhe në territoret e pushtuara nga Rusia po përkeqësohet në vazhdimësi, ndërkohë që operacionet ushtarake po intensifikohen, numri i civilëve të vrarë po rritet dhe rastet e torturës, ekzekutimeve arbitrare dhe shkeljet tjera të rënda po shtohen.

“Gjendja e të drejtave të njeriut vazhdon të jetë e përkeqësuar ndërkohë që numri i civilëve të vrarë po vazhdon të rritet krahas ekzekutimeve të vazhdueshme dhe torturimit të robërve të luftës, si dhe përpjekjeve të Rusisë për të konsoliduar kontrollin ndaj territoreve të pushtuara ukrainase”, thuhet në raportin e publikuar nga Misioni i OKB-së për Vëzhgimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë, të njohur me shkurtesën HRMMU.

Raporti, i cili u publikua të martën nga Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, mbulon zhvillimet përgjatë periudhës prej 1 shtatorit deri më 30 nëntor të vitit 2024. Ai bazohet në informacionet e mbledhura përmes dhjetëra vizitave në terren, vizitave në burgje si dhe intervistave me mbi 800 viktima dhe dëshmitarë të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

“Pas çdo fakti dhe çdo shifre në raport janë rrëfimet e vuajtjes dhe humbjes së jetëve të njerëzve, që tregojnë ndikimin shkatërrues të luftës në tërë Ukrainën”, tha shefja e misionit, Danielle Bell në një deklaratë të bërë nga Kievi gjatë publikimit të raportit.

Ajo tha se ekipet e misionit vëzhgues dokumentuan 574 vrasje civilësh dhe mbi 3,000 të plagosur gjatë kësaj periudhe tre mujore, duke shtuar se në shtator u shënua numri më i madh i vdekjeve përgjatë një periudhe një mujore që prej korrikut të vitit 2022.

Raporti thotë se shkaktar për numrin e shtuar të civilëve të vrarë janë “operacionet e intensifikuara ushtarake” të forcave të armatosura ruse, në veçanti në Kherson, Donetsk dhe në pjesë të tjera të rajonit të Kharkivit, që kontrollohen nga Rusia.

“Përdorimi i bombave të komanduara nga distanca dhe i dronëve me rreze të shkurtë veprimi kanë ndikuar në numrin e lartë të viktimave civile dhe dëmin ndaj komuniteteve”, thuhet në raport, i cili thekson se që nga mesi i nëntorit, forcat ruse kanë filluar të ndërmarrin sulme të mëdha të bashkërenduara ajrore ndaj infrastrukturës kritike energjetike të Ukrainës.

“Sulmet ndërprenë energjinë elektrike dhe shërbimet që varen nga ajo siç janë uji, ngrohja dhe shërbimet transportuese në shumë rajone”, thotë raporti, duke shtuar se ato “dëmtuan edhe më tej kapacitetin energjetik të Ukrainës në prag të dimrit”.

Zyrtarët rusë dhe ukrainas ende nuk i kanë komentuar gjetjet e raportit.

Një zëdhënës i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut i tha Zërit të Amerikës se raporti “iu dërgua Federatës Ruse paraprakisht, para se ai të botohej, siç është edhe praktika. Nuk kemi marrë ndonjë koment nga ta”, shtoi zëdhënësi.

Të burgosurit ukrainas të luftës, shënjestër e dhunës seksuale

Raporti zbulon se tortura dhe keqtrajtimi i të burgosurve ukrainas nga Federata Ruse “janë të përhapura dhe sistematike”. Sipas raportit, 42 të burgosurit ukrainas të luftës, të liruar rishtas, kanë paraqitur “dëshmi të besueshme dhe të detajuara” të torturës që kanë përjetuar, “përfshirë rrahje, shok elektrik dhe mbajtje në izolim të stërzgjatur”.

Raporti po ashtu thotë se dhuna seksuale është e përhapur ndaj grave dhe burrave, me shumë nga të burgosurit në shënjestër të “përdhunimit, përdorimit të shokut elektrik dhe rrahjes në organet gjenitale, zhveshjes së detyruar dhe kërcënimeve për përdhunim dhe kastrim”.

Që nga fundi i gushtit, vëzhguesit e OKB-së regjistruan një numër të dukshëm të “pretendimeve të besueshme për ekzekutimin e të burgosurve ukrainas të luftës” që kanë të bëjnë me vrasjet e 62 individëve në 19 incidente. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut verifikoi “ekzekutimin e 15 ushtarëve ukrainas”.

Raporti gjen që edhe të burgosurit rusë të luftës iu nënshtruan torturave dhe keqtrajtimit nga autoritetet ukrainase, por sipas autorëve të tij këto raste kanë ndodhur në një shkallë shumë më të vogël dhe kryesisht gjatë kohës që të burgosurit “mbaheshin në vende tranzitore gjatë fazës së hershme të mbajtjes së tyre”.

Në raport thuhet se Zyra e të Drejtave të Njeriut dokumentoi vrasjen e një të burgosuri rus të luftës në një vend tranziti në fillim të vitit 2024, vdekja e të cilit ishte shkaktuar nga tortura dhe se po hetonte edhe dy vdekje të tjera të të burgosurve rusë të luftës në rrethana të ngjashme.

Raporti gjithashtu shqyrton edhe trajtimin e civilëve në territorin e pushtuar nga Federata Ruse në Ukrainë dhe në Krime, e cila u aneksua jashtëligjshëm në vitin 2014.

Imponimi i identitetit rus

Autorët e raportit e akuzojnë Rusinë se po forcon kontrollin e saj në territorin e pushtuar përmes imponimit të ligjeve ruse, në kundërshtim me detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, “gjë që po çon drejt kufizimeve të mëtejshme të të drejtave dhe lirive themelore, çështjeve të pronësisë dhe të drejtave kulturore”.

Ata morën si shembull një strategji të re të autoriteteve ruse që nga shtatori “për t’i detyruar fëmijët dhe të rinjtë ukrainas në territoret ukrainase që të demonstrojnë besnikërinë e tyre ndaj Federatës Ruse”. Kjo strategji përfshin stërvitjen e fëmijve me aftësi ushtarake si pjesë e aktiviteteve të tyre gjatë verës dhe përdorimit të propagandës në shkolla.

“Gjatë verës së vitit 2024, autoritetet ruse në zonat e pushtuara i dërguan fëmijët nga territoret e pushtuara të Ukrainës në kampe në Krime dhe në Federatën Ruse, ku vajzat dhe djemtë bënë stërvitje ushtarake dhe morën pjesë në aktivitete të përqëndruara në përforcimin e patriotizmit dhe identitetit rus”, në kundërshtim me Ligjin Ndërkombëtar Humanitar dhe Ligjin e të Drejtave të Njeriut, sipas autorëve të raportit.

Raporti kritikon ashpër Federatën Ruse, si autoritetin pushtues, për kufizimin e lirisë fetare dhe lirisë së të shprehurit “për të heshtur kritikat ndaj veprimeve ushtarake ruse”.

Raporti po ashtu kritikon rregulloret e miratuara nga qeveria ukrainase në territoret që ata kontrollojnë që “ndalojnë aktivitetetet e organizatave fetare ukrainase me organizatat simotra në Federatën Ruse”.

Këto rregullore, sipas autorëve, kufizojnë në mënyrë joproporcionale lirinë fetare, apo të besimit dhe “duhet të ndryshohen që të jenë plotësisht në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”. /VOA/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button