OKB ngre alarmin për dimrin në Gaza: 1 milion njerëz në nevojë për ndihmë urgjente

Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka bërë të ditur se është “thellësisht e alarmuar” nga ndikimi shkatërrues i stinës së dimrit te palestinezët e zhvendosur në Rripin e Gazës, duke theksuar se pothuajse 1 milion njerëz ende kanë nevojë për ndihmë urgjente, transmeton Anadolu.

“Njerëz të pambrojtur, përfshirë të paktën 7 foshnja, kanë vdekur nga hipotermia. Këto vdekje tragjike theksojnë nevojën urgjente për strehim dhe ndihmë të tjera për të arritur menjëherë te populli i Gazës”, tha Amy Pope, drejtoreshë e përgjithshme e IOM-it.

Duke theksuar se shirat e dendur dhe përmbytjet kanë pushtuar vendndodhjet e zhvendosjes dhe strehimoret e improvizuara, IOM tha se “kufizimet sistematike të qasjes”, siç raportohet nga Zyra humanitare e OKB-së, kanë penguar rëndë shpërndarjen e ndihmave, me vetëm 285 mijë njerëz që kanë marrë mbështetje për strehim që nga shtatori i vitit 2024.

“Deri në mesin e dhjetorit, ‘Shelter Cluster’, një grup koordinues i OKB-së, organizatave ndërkombëtare dhe atyre lokale humanitare, vlerëson se të paktën 945 mijë njerëz ende kanë nevojë urgjente për ndihmë për dimër, si veshje termale, batanije dhe mbulesë gome për të izoluar strehimoret nga shiu dhe i ftohti”, tha IOM.

Agjencia e OKB-së përsëriti thirrjen e saj për armëpushim për të mundësuar shpërndarjen e sigurt dhe të menjëhershme të ndihmave për shpëtimin e jetëve për ata që kanë nevojë.

“IOM përsërit thirrjen e saj për të gjitha palët që t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar humanitar, të sigurojnë mbrojtjen e civilëve, lirimin e të gjitha pengjeve si dhe të lejojnë qasje të sigurt, të shpejtë, të papenguar dhe të qëndrueshme humanitare”, theksoi agjencia.

Më tej, IOM thekson se populli i Gazës “meriton” siguri, strehim dhe dinjitet, si dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar ndihma dhe për të mbështetur komunitetet e zhvendosura nëse u jepet qasje humanitare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button