OKB: Lufta prek mbi 600 milionë gra dhe vajza
Më shumë se 600 milionë gra dhe vajza janë tani të prekura nga lufta, një rritje prej 50% nga një dekadë më parë thonë zyrtarët e lartë të OKB-së.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha në një raport të ri se mes niveleve rekord të konfliktit të armatosur dhe dhunës, progresi gjatë dekadave për gratë po zhduket dhe “përfitimet e brezave në të drejtat e grave varen në balancë në mbarë botën”.
Shefi i OKB-së po vlerësonte gjendjen e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të miratuar më 31 tetor 2000, që kërkonte pjesëmarrje të barabartë për gratë në negociatat e paqes, një synim që mbetet po aq i largët sa barazia gjinore.
Guterres tha se të dhënat dhe gjetjet aktuale tregojnë se “potenciali transformues i lidershipit të grave dhe përfshirja në ndjekjen e paqes” është duke u nënvlerësuar – me fuqinë dhe vendimmarrjen për çështjet e paqes dhe sigurisë në duart e burrave, raporton Associated Press.
“Për sa kohë që strukturat shoqërore shtypëse patriarkale dhe paragjykimet gjinore pengojnë gjysmën e shoqërisë tonë, paqja do të mbetet e pakapshme,” paralajmëroi ai.
Raporti thotë se përqindja e grave të vrara në konflikte të armatosura është dyfishuar në vitin 2023 krahasuar me një vit më parë; Rastet e verifikuara të dhunës seksuale të lidhura me konfliktin ishin 50% më të larta; dhe numri i vajzave të prekura nga shkelje të rënda në konflikte u rrit me 35%.
Në një takim dy-ditor të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi temën që përfundoi të premten, Sima Bahous, kryesuesja e agjencisë së OKB-së që promovon barazinë gjinore të njohur si “UN Women”, vuri në dukje gjithashtu mungesën e vëmendjes ndaj zërave të grave në kërkimin e paqes.