OKB lëshon paralajmërim të rreptë për Kordofanin e Sudanit ndërsa RSF fokusohen te rajoni i pasur me naftë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka lëshuar një “paralajmërim të rreptë” për përgatitjet për intensifikim të përleshjeve në rajonin Kordofan të Sudanit, duke bërë një thirrje të re për ndalimin e dhunës.
Paralajmërimi erdhi nga kreu i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Turk, të premten.
Forcat paramilitare Rapid Support Forces (RSF), të cilat janë në luftë me ushtrinë e rregullt të Sudanit që nga prilli 2023, njoftuan të enjten se kishin pranuar një propozim për armëpushim humanitar nga ndërmjetësuesit.
Pas kapjes së Al Fasherit nga RSF, në fund të tetorit – e vetmja fortifikim i madh i ushtrisë në Darfurin perëndimor – paramilitarët duket se po zhvendosin fokusin e tyre drejt Khartoumit dhe rajonit të pasur me naftë Kordofan.
Turk tha se civilët e traumatizuar dhe të bllokuar po pengohen të largohen nga Al Fasher.
“Kam frikë se mizoritë e tmerrshme, si ekzekutimet e menjëhershme, përdhunimet dhe dhuna me motiv etnik, po vazhdojnë brenda qytetit,” tha ai në një deklaratë.
Për ata që arrijnë të shpëtojnë, rrugët e daljes janë bërë skena të “mizorisë së pabesueshme”, shtoi ai.
“Njëkohësisht, unë lëshoj një paralajmërim të rreptë për ngjarjet që po zhvillohen në Kordofan,” tha Turk.
“Asnjë shenjë de-eskalimi”
“Që nga kapja e Al Fasherit, viktimat civile, shkatërrimet dhe shpërnguljet masive aty janë në rritje. Nuk ka asnjë shenjë për de-eskalim.”
“Përkundrazi, zhvillimet në terren tregojnë përgatitje të qarta për përshkallëzim të armiqësive, me gjithçka që kjo nënkupton për popullin e vuajtur prej kohësh,” shtoi ai.
RSF janë akuzuar për vrasje masive, plaçkitje dhe dhunë seksuale në Al Fasher.
Turk tha se duke marrë parasysh “dhunën katastrofike” në qytet, vendet duhet të jenë në dijeni se pa veprime të shpejta dhe vendimtare, do të ketë më shumë mizori dhe krime që tashmë kemi parë.
Ai kërkoi ndalimin e mbështetjes ushtarake për palët që kryejnë shkelje serioze.
“Rishfaq thirrjen time për një ndalim të menjëhershëm të dhunës si në Darfur, ashtu edhe në Kordofan. Veprime të guximshme dhe urgjente kërkohen nga komuniteti ndërkombëtar,” tha Turk.
Rënia e Al Fasherit i dha kontrollin e të gjitha kryeqyteteve të pesë shteteve të Darfurit paramilitarëve, duke rritur frikën se Sudani mund të ndahet efektivisht përgjatë boshtit lindje-perëndim.



