OKB-ja i quan “krim lufte” shpërthimin e pejxherëve dhe pajisjeve tjera në Liban
Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut ka denoncuar ashpër një seri shpërthimesh vdekjeprurëse të pejxherëve dhe pajisjeve radio në Liban, duke e quajtur atë “krim lufte”.
Duke thënë se ai është “i tmerruar” nga sulmet vdekjeprurëse ndaj civilëve në Liban më 17 dhe 18 shtator, Volker Turk tha në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “këto sulme përfaqësojnë një zhvillim të ri në luftë, ku mjetet e komunikimit bëhen armë.”
Gjithashtu, shefja e çështjeve politike të Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo paralajmëroi Këshillin e Sigurimit se nëse dhuna vazhdon midis Izraelit, Hamasit palestinez dhe grupit libanez Hezbollah, atëherë “ne rrezikojmë të shohim një zjarr që mund të zbehë edhe shkatërrimin dhe vuajtjen e dëshmuar deri më tani”.