OKB: Gaza, vendi ku përjetohet më shumë uria në botë

Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), Jens Laerke tha se Rripi i Gazës i cili ndodhet nën sulmet dhe bllokadën izraelite, është “vendi ku përjetohet më shumë uria në botë”, raporton Anadolu.

Laerke i bëri vlerësimet në konferencën javore për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë.

“Populli i Gazës vazhdon të jetë i privuar nga ndihma për shkak të kufizimeve serioze nga autoritetet izraelite ndaj përpjekjeve ndërkombëtare”, tha Laerke duke shtuar se “Gaza është vendi ku përjetohet më shumë uria në botë. Është rajoni i vetëm ku e gjithë popullsia përcaktohet se është në rrezik nga uria”.

Ai kujtoi se autoritetet izraelite rihapën portën kufitare “Kerem Abu Salim” (Kerem Shalom) për një “numër të kufizuar” kamionësh ndihme afërsisht 10 ditë më parë pas një ndërprerjeje prej më shumë se 11 javësh.

“Që nga ajo periudhë është lejuar hyrja e rreth 900 kamionë me ndihma”, tha Laerke i cili shtoi se “më pak se 600 prej tyre janë dorëzuar në Gaza”.

Laerke theksoi se vetëm një pjesë e këtyre 600 kamionëve janë marrë për shpërndarje, por shpërndarja e tyre është vonuar për shkak të kufizimit të punonjësve humanitarë nga autoritetet izraelite.

“Ushqimi po shpërndahet në mënyrë të ngadaltë në një rajon në prag të urisë katastrofike”, tha Laerke duke shtuar se ndihma duhet të shpërndahet në zonat ku ndodhen njerëzit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button