Odobescu: Shfrytëzojeni mundësinë që është hapur për zgjerim në BE

“Rumania ishte dhe është mbështetëse e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të integrimit evropian për të ardhmen e vendit tuaj, Rumania beson se vetëm përmes një përkushtimi të përbashkët dhe një konsensusi të fortë kombëtar për reformat e nevojshme, Maqedonia e Veriut do të marrë vendimet e nevojshme sa më shpejt që të jetë e mundur dhe do të përshpejtojë rrugën drejt BE”,  tha ministrja e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Luminica Odobescu në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Ajo përgëzoi, siç tha, përpjekjet e jashtëzakonshme që ka bërë vendi në vitet e fundit duke zbatuar reforma të vështira. Odobescu inkurajoi të vazhdohet me ndryshimet Kushtetuese që të mund të hapen kapitujt.

“Ne ju inkurajojmë të përfitoni nga kjo mundësi që është hapur për zgjerim pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Mundësia e anëtarësimit të vendit në BE është një proces i besueshëm, një proces në të cilin të gjithë kanë interes. Është me interes të ndërsjellë si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për BE-në. Duke u mbështetur në përvojat rumune, mund të them se pavarësisht nga të gjitha vështirësitë në rrugën drejt BE-së, të gjitha ato përpjekje ia vlejnë dhe shpërblehen pasi të bëheni anëtar i BE-së. Procesi i integrimit evropian ka një fuqi transformuese, e cila prek të gjithë shoqërinë, prek edhe qytetarët dhe veçanërisht rininë”, tha Odobesku.

Ministri Osmani tha se kjo vizitë e koleges rumune tregon përkushtimin e fuqishëm të Rumanisë si shtet anëtar i BE-së për të mbështetur integrimet evropiane të RMV-së. Ai theksoi se në më pak se dy muaj, Rumania shënon 17 vjet nga pranimi i saj në Union dhe është shembull i përfitimeve nga antarësimi në BE.

“Maqedonia e Veriut vlerëson shumë mbështetjen tuaj për procesin tonë të anëtarësimit në BE dhe shpresojmë që Maqedonia e Veriut së shpejti do të bëjë hapin e shumëpritur dhe të merituar duke miratuar sa më shpejt ndryshimet kushtetuese si e vetmja detyrë shtëpie që na ndan nga integrimi i përshpejtuar që po bëhet gjithnjë e më imperativ për BE-në në momentin e dhënë gjeopolitik. Hapja e grupeve dhe e kapitullit në kuadër të procesit të anëtarësimit është e një rëndësie ekzistenciale sepse kontribuon në zhvillimin e shpejtë ekonomik, konvergjencë më të shpejtë ekonomiko-sociale me vendet e BE-së. Në anën tjetër, plani i ri për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe mundësia e hyrjes në tregun unik të BE-së janë instrumentet me të cilat BE-ja arrin integrimin gradual ose atë që ne e quajmë më shumë integrim para anëtarësimit në BE” ka deklaruarOsmani.

Të dy ministrat ndanë të njëjtin qëndrim për situatën në rajon dhe domosdoshmërinë e një fokusi të fortë për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe prosperitetin si bazë kyçe për përfitime për të gjithë në rajonin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button