OBSH: 500 të vrarë në pikat e shpërndarjes së ndihmës të mbështetura nga Izraeli dhe SHBA në Gaza

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Palestinën, Rik Peeperkorn tha se midis 27 majit dhe 22 qershorit rreth 500 njerëz janë vrarë teksa përpiqeshin të merrnin ushqim pranë pikave të shpërndarjes së ndihmës së Fondacionit Humanitar të Ndihmës për Gazën, i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja, transmeton Anadolu.
Peeperkorn dhe koordinatori i Ekipit Mjekësor të Emergjencave të OBSH-së në Gaza, Luca Pigozzi, bënë vlerësimet e tyre duke marrë pjesë përmes internet në konferencën javore për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë.
Peeperkorn kritikoi planin e shpërndarjes së ndihmës humanitare të kryer nga Fondacioni Humanitar i Ndihmës për Gazën, i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja në Gaza. “Rreth 500 njerëz janë vrarë midis 27 majit dhe 22 qershorit, ndërsa përpiqeshin të merrnin ushqim pranë pikave të shpërndarjes”, theksoi ai.
Duke vënë në dukje se OKB-ja dhe partnerët e saj kanë sistem për shpërndarjen e ndihmës dhe se ky sistem ka qenë i suksesshëm në të kaluarën, Peeperkorn bëri thirrje për vazhdimin e sistemit dhe që ndihma humanitare të arrijë në Gaza pa asnjë pengesë.
“Njerëzit po vdesin urie, njerëzit janë të sëmurë, në Gaza çdo ditë po vdesin njerëz. Ata janë vrarë në rrugë duke u përpjekur të merrnin ndihmë mjekësore, u vranë në spitale. Tani, ata po vriten edhe në rrugë duke u përpjekur të marrin ushqim që pothuajse nuk ofrohet kurrë”, tha Peeperkorn.
– “44 për qind e kërkesave tona për ndihmë u refuzuan”
Pigozzi rikujtoi se pothuajse 50 për qind e stokut mjekësor në Rripin e Gazës është konsumuar plotësisht dhe se 9 kamionët me ndihmë që OBSH-ja ka dërguar në Rripin e Gazës në dy ditët e fundit janë “vetëm një pikë uji në oqean”.
Ai potencoi se 44 për qind e kërkesave për ndihmë që ata ishin përpjekur të dërgonin midis marsit dhe qershorit ishin refuzuar. “Kjo është vërtet shqetësuese. Njerëzit që u përpoqën të arrinin në pikat e shpërndarjes së ndihmës të ngritura nga Fondacioni i Ndihmës Humanitare në Gaza janë qëlluar me armë”, shtoi Pigozzi.