O’Brien: Nuk do lejojmë dhunë në veri. Kosova dhe Serbia të përmbushin përgjegjësitë në kuadër të dialogut

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, deklaroi se Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, referuar këtu ngjarjeve në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar.
Sakaq O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
“Komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar një lloj qetësimi të situatës. Ne presim që kjo të vazhdojë dhe në muajt në vijim presim më shumë transparencë dhe diskutime. Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet”, tha ai.
O’Brien përsëriti se SHBA mbështet procesit e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian ndërsa kërkoi nga palët që të përmbushin përgjegjësitë e tyre.
“Pozicioni ynë këtu është i pandryshuar. Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e dialogut që udhëhiqen nga Miroslav Lajcak nga Bashkimi Evropian. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në kuadër të dialogut. Ka pasur disa përparime në këtë drejtim gjatë muajve të fundit”, u shpreh ai.
O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.
Nga viti 2022, Jim O’Brian ka punuar si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit./rtsh.al