Oborret e spitalit al-Shifa në Gaza janë kthyer në varreza

Bllokada e vazhdueshme izraelite mbi Gazën po i detyron mjekët nëpër spitale të mbingarkuara të marrin vendime të vështira se cilët pacientë të trajtojnë.
Pacientët me sëmundje kronike janë zakonisht të parët që mbesin pa trajtim, pasi repartet emergjente janë të tejmbushura me të plagosur nga sulmet izraelite.
“Para luftës, merrja dializë tri herë në javë, dhe çdo seancë zgjaste katër orë. Atëherë situata ishte stabile, trajtimi ishte efektiv dhe ktheheshim në shtëpi duke u ndier mirë e të pushuar,” tha Omda Dagmash, një paciente me dializë, për Al Jazeera nga spitali thuajse i paralizuar al-Shifa në qytetin e Gazës.
“Tani mezi arrijmë të vijmë deri në spital, sidomos kur nuk kemi as ushqim të mjaftueshëm.”
Në al-Shifa, orari i dializës është shkurtuar dhe bërë më i rrallë. Për disa, kjo është çështje jete a vdekjeje.
“Udhëtimi deri këtu është i gjatë dhe i kushtueshëm,” tha Rowaida Minyawi, një paciente e moshuar. “Pas gjithë këtij lodhjeje, ndodh që as nuk e gjejmë trajtimin. Kam sëmundje të zemrës, tension të lartë dhe diabet. Edhe ilaçet që marrim nuk janë të mira. Çfarë duhet të bëjmë? Të vdesim në shtëpi?”
Përveç përzgjedhjes së pacientëve, punonjësit shëndetësorë thonë se detyrohen të reduktojnë aktivitetet në minimum, pasi mungesa e karburantit do të thotë mungesë e energjisë elektrike — dhe, rrjedhimisht, pamundësi për të shpëtuar jetë.
“Vetëm pak reparte po funksionojnë. U detyruam t’ua ndërpresim rrymën të tjerëve,” tha Ziad Abu Humaidan nga departamenti inxhinierik i spitalit.
“Oborret e spitalit janë kthyer në varreza, e jo në vende për kujdes dhe shërim. Pa energji elektrike nuk ka ndriçim, nuk funksionon pajisja mjekësore dhe nuk ofrohen as shërbime të tjera esenciale.”