NYT: Si i fitoi familja Trump 1.4 miliardë dollarë gjatë presidencës

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shfrytëzuar zyrën e presidencës për të përfituar rreth 1.4 miliardë dollarë pasuri gjatë mandatit të dytë si president, bazuar në analizën që New York Times ua ka bërë raportimeve të mediave.
Familja Trump besohet se ka përfituar 23 milionë dollarë vetëm nga licencimi i emrit të tij jashtë shtetit që nga rizgjedhja. Një hotel në Oman. Një objekt zyrash në Indi. Një fushë golfi në Riad të Arabisë Saudite. Këto ishin disa nga 20 projektet jashtë shtetit, në të cilat Organizata Trump ka kryer blerje në bashkëpunim me qeveritë e huaja. Marrëveshjet i siguruan milionat për Trumpët, sipas Reutersit. Dhe administrata u pajtua që të ulë tarifat ndaj Vietnamit, një muaj pasi nisi ndërtimin një kompleks golfi, projekt nga Organizata Trump. Vietnamezët shmangën ligjet për ta përshpejtuar projektin.
Trumpët po i fitojnë 28 milionë dollarë nga “Amazoni” për një dokumentar për Melania Trumpin. “Amazoni” ka paguar më së shumti për të drejtat e “Melanias”, sipas “Wall Street Journal”.
Kompanitë e mëdha teknologjike e mediatike paguan 90.5 milionë dollarë Trumpin në disa marrëveshje që nga rizgjedhja. Marrëveshjet u realizuan nga “X”, “ABC News”, “Meta”, “YouTube” dhe “Paramount”. “Paramount” për shembull pagoi 16 milionë dollarë për atë që ai pati thënë se ishte një redaktim mashtrues i një interviste të Kamala Harrisit më 2024. Siç ka shkruar “New York Times”, redaktimi ishte pjesë normale. Tre javë më pas, Komisioni Federal i Komunikimeve miratoi bashkimin 8 miliardë dollarësh me “Skydance”.
Katari ia dha Trumpit aeroplanin 400 milionë dollarësh, që ta përdorë si “Air Force One”. Presidenti planifikon ta marrë me vete pas kryerjes së mandatit. “Do ta mbrojmë këtë shtet”, pati thënë Trumpi menjëherë pasi Katari ia dha dhuratën.
Trumpët fituan 867 milionë dollarë nga kriptovalutat. Shitja e kriptovalutave ka qenë përfitimi më i madh financiar i Trumpit, sipas “Reutersit”. Njerëzit që shpresojnë të ndikojnë në politika feerale, përfshirë të huajt, mund ta blejnë valutën e familjes së Trumpit, duke i transferuar para Trumpëve dhe marrëveshjet mbeten sekrete. Një që është bërë publike është investimi i një kompanie të Emirateve të Bashkuara Arabe që depozitoi 2 milioardë në një kompani të Trumpit, dy javë para se presidenti t’i jepte qasje shtetit në çipat e avancuar.
Duke i përmbledhur të gjitha, Trump ka përfituar që nga rikthimi në presidencë një shumë fiks 16 mijë e 822 herë më shumë se të hyrat mesatare të familjeve amerikane.
Në një editorial të “New York Timesit” është thënë se uria e Trumpit për pasuri është e paturpshme.
“Gjatë historisë së shtetit, presidentët nga të dyja partitë janë kujdesur të shmangin edhe dukjen e përfitimeve nga shërbimet publike. Ky president i shtrydh me gëzim korporatat amerikane, mburret me dhuratat nga qeveritë e huaja dhe e feston rritjen e shpejtë të pasurisë së tij”, ka shkruar ekipi redaktues në “New York Times”. “Kur presidenti Harry Truman u largua më 1953, ai s’kishte as veturë. U kthye me gruan me tren në Missouri dhe jetoi me pension ushtarak. Refuzoi të pranonte edhe punët që i konsideronte si komercializëm të shërbimit të tij publik. ‘E dija që ata nuk ishin të interesuar të punësonin Harry Trumanin si person, por që të punësonin ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara’, pati thënë ai në një rast”.
Shifra prej 1.4 miliardësh konsiderohet minimale. Ka shumë gjasa që ai të ketë fituar edhe më shumë.
Trump veçse ka qenë personi më i pasur që ka shërbyer si president i SHBA-së. Ai e nisi mandatin e dytë me portfolio të gjerë të pronave dhe aksioneve në rrjetin e vet social. Të gjitha bizneset kanë përfituar gjatë presidencës së tij.



