Nyja Gordiane e Lindjes së Mesme

Thuhet se diku në Anadollin antik, në një qytet jo fort larg Ankarasë së sotme, shkoi perandori i fuqishëm Leka i Madh. Atje një qerre me buaj ishte lidhur keq, një nyje shumë e ngatërruar që ushtarët nuk po e zgjidhnin dot. Leka, i cili nuk kishte kohë të priste, sepse po nxitonte të pushtonte Persinë, u tha ushtarëve të hiqen mënjanë, nxori shpatën e vet dhe e preu litarin e lidhur në nyjën e keqe. Prej asaj kohe gjesti i Lekës ka mbetur si një mënyrë proverbiale për të zgjidhur nyjet e pazgjidhshme.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Lindja e Mesme është tash sa kohë e përfshirë nga zjarri e gjaku. Gjatë muajit qershor patëm luftën Izrael-Iran, e në kohën që shkruhet ky shkrim jemi duke shpresuar që presidenti amerikan Donald Trump të ketë arritur të vendosë një paqe të qëndrueshme. Në lajme lexojmë se dhjetëra civilë vazhdojnë të vriten çdo ditë në Gaza, një pjesë e tyre qëllohen me breshëri kur shkojnë për të marrë bukë në qendrat e ndihmës. Pjesë të mëdha të popullit në Gaza janë lënë të treten urie.

Kjo situatë u parapri nga goditjet fort dobësuese që Izraeli u bëri aleatëve të Iranit në rajon, Hizbullahut në Liban e Hamasit në Gaza, por edhe nga rrëzimi përfundimtar i Bashar al Asadit në Siri dhe arratisja e tij drejt Rusisë. Dhjetëra mijëra civilët e vrarë në Palestinë, po edhe goditja e paparalajmëruar që Izraeli i bëri Iranit, duke shkaktuar nisjen e luftës, kanë rritur indinjatën dhe sensitivitetin në opinionet publike të vendeve të ndryshme, e sidomos atyre të Lindjes së Mesme, duke e vështirësuar gjeopolitikën e zakonshme të atij regjioni të botës.
Sot për sot në Lindjen e Mesme dallohen, në vija të trasha, katër linja kryesore të politikës vendore, aleancat e armiqësitë mes të cilave ndryshojnë edhe sipas ndikimit të fuqive botërore, të cilat janë shumë të interesuara për burimet nëntokësore e për korridoret strategjike të transportit që janë në atë zonë të botës. Këto katër linja politike vendore mund të përshkruhen edhe në bazë të raportit mes shekullarizmit dhe fetarizmit që ka secila prej tyre. Ato, sipas këndvështrimit (dhe emërtimit) tim, janë:

1. Shekullar-konservatizmi, me mision modernizues, por antiliberal, nacionalist e sa mundet antiimperialist, me disa dimensione të ngjashme me shtetet autoritare sovjetike apo fashiste, thuajse gjithnjë me afinitete militariste e policore. I tillë ishte, për shembull, Iraku i Sadam Hysejnit, Tunizia e Zejnelabedin Ben Aliut ose Egjipti “i pardjeshëm” i Hysni Mubarakut dhe ai i sotmi i Abdylfetah El Sisit. Bashar al Asadi i përmbushte të gjitha “kriteret” për të qenë në këtë grup, por afilimi i alevitëve të tij me shiat e bënte shpeshherë Asadin aleat të Iranit, gjë që e vinte në kundërshtim me shekullar-konservatorët e tjerë. Më i rëndësishmi në këtë rrymë sot është Egjipti, me 115 milionë banorë e me GDP-në rreth 400 miliardë dollarë. Dikur edhe Turqia kishte tendenca të ngjashme, teksa ka shtete si Emiratet që hera-herës afrohen me këtë rrymë. Pakistani, i vetmi shtet me shumicë myslimane që ka armë bërthamore, shpesh përafrohet me këtë linjë, edhe pse Pakistani nuk e ka gravitetin gjeopolitik në Lindje të Mesme, por në Azinë Jugore.

2. Linja konservatore e islamit të moderuar, e cila përfaqësohet sot më shumë nga Turqia e Erdoganit, me popullsi prej 85 milionë banorësh e GDP rreth 1 trilion e 430 miliardë dollarë. Kjo linjë pati pretendime të mëdha ndikuese në lëvizjet demokratike që ndodhën para pesëmbëdhjetë vitesh në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme e që u quajtën “Pranvera Arabe”. Madje, në Egjipt për një kohë morën edhe pushtetin, me presidentin Muhamed Morsi. “Vëllazëria Myslimane”, lëvizja tipike që synon një islam politik e politikë islame të moderuar e të hapur, u rrëzua me dhunë nga pushteti në Egjipt, një pjesë e lidershipit të saj u vra, ndërsa një pjesë e madhe e tyre sot strehohen në Turqi. Ka edhe lëvizje të tjera politike-kulturore-religjioze të kësaj natyre, ndër to edhe ajo “Hizmet” e klerikut turko-amerikan Fetullah Gylenit, e cila ndihmoi në ardhjen në pushtet të kësaj rryme në Turqi, por që më pas u distancua nga Erdogani (dhe ai prej tyre), gjë që çoi në një tentativë për grusht shteti në vitin 2016, por edhe në fërkime të forta herë pas here mes Turqisë dhe Amerikës. Sidoqoftë Erdogani e mbajti pushtetin dhe Turqia vijon të jetë aleat i rëndësishëm ushtarak i Amerikës e i NATO-s, Gyleni vdiq nga mosha, ndërsa lëvizja e tij, me prezencë në disa vende të Ballkanit, Lindjes së Mesme e Azisë Qendrore është e shpallur terroriste nga Turqia. Katari, një vend i vogël me sipërfaqe e popullsi, por fort i pasur në burime e financa, shpesh përafrohet me këtë rrymë.

3. Linja ultrakonservatore dhe strikte synite, që përfaqësues më të madh ka Arabinë Saudite me 32 milionë banorë e me GDP prej 1 trilion dollarësh. Kjo linjë për ideologji ka selefizmin, një teologji e praktikë strikte islamike, të cilën e promovon me fonde, fondacione e bursa edhe në vende të tjera me popullsi myslimane. Teksa në Arabinë Saudite shteti pretendon që qeveriset me ligjin islam, sheriatin, në vendet e tjera influenca e kësaj ideologjie shpeshherë ka prodhuar edhe lëvizje radikale e terroriste, ndër të cilat më famëkëqijat janë El-Kaida (Al-Qaeda) dhe Shteti Islamik në Siri e Irak (ISIS). Ndikime të kësaj rryme kanë herë pas here edhe talibanët që e mbajnë pushtetin në Afganistan, të cilët sidoqoftë ndikohen edhe nga Irani. Hera-herës edhe Emiratet kanë qasje të ngjashme, edhe pse në vitet e fundit ka pasur një afrim të Emirateve më Egjiptin e, në disa raste, edhe distancim prej sauditëve, madje edhe në politikat religjioze e veprimet gjeopolitike.

4. Linja shiite, e cila pas Revolucionit Islamik, përfaqësohet nga Irani, që ka 92 milionë banorë dhe një GDP prej 340 miliardë dollarësh. Ndikimi i Iranit është i madh në Irak, ku ka një popullsi të madhe shiite, në Liban, në Jemen, po edhe në vende të tjera. Aleatë të Iranit kanë qenë Hizbullahu në Liban, ndonjëherë edhe Hamasi në disa pjesë të Palestinës, shpeshherë Asadi e kur mbante pushtetin në Siri. Së fundmi Irani ka lidhje e ndikim edhe tek Afganistani i talebanëve, teksa mban raporte edhe me Pakistanin. Revolucioni islamik i viteve të ´70-ta fillimisht nuk ishte me natyrë të theksuar shiite, por një lëvizje për rimëkëmbje shoqërore e politike, me dimensione antikoloniale e sovraniste, por edhe socialiste e antimonarkike. Asokohe kjo ngjalli shqetësime të mëdha në vende si Turqia e Arabia Saudite. Të parët nuk dëshironin të kishin ndikim të një revolucioni islam në popullsinë e tyre, ndërsa të dytët nuk dëshironin të kishin një revolucion socialist fare pranë. Por, pas revolucionit iranian pushtetin e mori fraksioni i Ruhollah Homeinit, i cili i dha lëvizjes një natyrë ekskluzive shiite, gjë që u leverdisi asokohe arabëve e turqve. Prej fuqive në Lindje të Mesme Irani është i vetmi që nuk bashkëpunon ushtarakisht me SHBA-në dhe mban politikë shpesh të hapur me Kinën, Rusinë, ose edhe Korenë e Veriut. Thuhet se Irani është duke zhvilluar një program të krijimit të armës bërthamore, arsye për të cilën u sulmua nga Izraeli me qëllime preventive. Mirëpo, Irani e mohon këtë gjë dhe vë në dukje se si e njëjta arsye u përdor nga amerikanët dhe aleatët e tyre për të sulmuar Irakun e për të rrëzuar Sadam Hysejnin, por pastaj preteksti doli të ishte krejtësisht i pavërtetë.

Këto janë katër polet e fuqisë në Lindjen e Mesme, të analizuara në bazë të raportit mes shekullarizmit dhe fetarizmit në ideologjinë që ato propozojnë. Rrezatimi i ideologjisë së tyre (por edhe i ekonomisë apo i demografisë, kulturës dhe ushtrisë së tyre) ndikon edhe në Azinë Qendrore e Jugore, në Afrikën Veriore e Qendrore, e më pak edhe në Ballkan.

Një tjetër faktor i rëndësishëm në Lindjen e Mesme është shteti i Izraelit. Ky shtet nuk i përket botës myslimane, megjithatë edhe ai përfaqëson një raport të veçantë mes shekullarizmit dhe fetarizmit. Teksa rregullimin e brendshëm Izraeli nuk e ka në bazë të ligjeve fetare të judaizmit, por në bazë të lirive e përgjegjësive tipike të demokracive shekullariste, koncepti i shtetësisë dhe i qytetarisë në këtë vend është i bazuar mbi të qenit jahudi, pra mbi një koncept etnoreligjioz. Ata që u përkasin feve të tjera duket sikur reduktohen në komunitete e minoritete, nga të cilat disa kalojnë më mirë, si druzët ose bahainjtë, e disa kalojnë situata shumë më të rënda, si arabët myslimanë të Bregut Perëndimor e sidomos në Gaza. Izraeli, demografikisht e në aspektin e sipërfaqes, nuk është shumë i madh, por ekonomikisht dhe në aspektin e përparimit teknologjik e ushtarak është pakrahasimisht më i zhvilluar se vendet e tjera të Lindjes së Mesme, teksa ka edhe një përkrahje të qëndrueshme prej Amerikës, por edhe prej aleatëve të rëndësishëm amerikanë në Europë e në vende të tjera të botës.
Izraeli e sheh të rëndësisë vendimtare që vendet e tjera të mos bashkohen mbi baza të nacionalizmit arab, po as mbi baza të fetarizmit mysliman. Në vitet e pas-Luftës së Dytë Botërore, deri në rënien e Perdes së Hekurt, në Lindjen e Mesme e në Afrikën Veriore tendenca kryesore ishte antikolonializmi e antiimperializmi, i përfaqësuar shpeshherë nga lëvizje me tendenca shekullare e, disi, socialiste. Politikani kryesor i asaj linje qe Naseri i Egjiptit, i cili u përpoq të shpjerë përpara edhe një ideologji jofetare të nacionalizmit modernizues e progresist arab. Ai arriti për një kohë të bëjë edhe një bashkim antiimperialist arab, një shtet ku u federuan Egjipti, Siria e Iraku. Por, kjo lloj politike i shqetësoi shumë izraelitët, sauditët, turqit, britanikët, francezët dhe, sidomos, amerikanët, gjë që çoi në rrëzimin e Naserit dhe zëvendësimin e tij me Sadatin, një politikan me prirje më autoritariste e fashiste, por jo edhe aq socialiste e moderniste. Nacionalizmi arab pati shfaqjet e veta edhe te baathistët në Siri e Irak, po edhe te Gadafi në Libi, zakonisht me fillime më socialiste e me përfundime përgjithësisht më militariste e thuajse fashiste. Në Palestinë kjo tendencë u përfaqësua nga lëvizja politike e quajtur Organizata për Çlirimin e Palestinës dhe faktori partiak Fatah, që në vitet e ´90-ta pati si udhëheqës Jaser Arafatin. Kur kjo tendencë me prirje shekullare e dekolonizuese dukej se ishte e fuqishme në Palestinë, por edhe në rajonin e Lindjes së Mesme, Izraeli ndihmoi në mënyrë diskrete themelimin e forcave politike me tendenca fetare, siç ishte edhe Hamasi, që në fillimet e veta ishte i afërt me “Vëllazërinë Myslimane”, ose përpjekjet për një islamizim të moderuar të politikës. Përgjatë viteve u zhvillua një betejë e gjatë, për të mos thënë luftë mes Fatahut dhe Hamasit, e si përfundim e para u dobësua, sepse edhe socializmat nëpër rajon u dobësuan. Hamasi mori natyrë edhe më radikale islamike, teksa u përpoq të gjejë aleatë në fuqi të ndryshme të rajonit. Izraeli e hoqi fokusin nga socializmat dhe nacionalizmat arabe dhe filloi të shohë me më shumë shqetësim panislamizmin, gjë që solli normalizimin e armikut të dikurshëm, Fatahut, dhe denormalizimin e Hamasit, që në fillet e veta ishte parë me interes.
Sot për sot shumë vende të Lindjes së Mesme, përfshi edhe faktorët palestinezë, janë të gatshëm ta njohin Izraelin në kufijtë e vitit 1967, por Izraeli prej kohësh ka kolonizuar territore të tjera dhe kërkon që të njihet situata e ndryshuar në terren. Nuk është lehtë për vendet e Lindjes së Mesme, por edhe për vende të tjera në botë, që ta pranojnë ndryshimin e kufijve në bazë të kolonizimit, sepse rendi ndërkombëtar i dalë pas dy luftërave botërore e ka parë kolonizimin si diçka të keqe dhe e ka pranuar si arsye për ndryshim kufijsh vetëm dekolonizimin. Kështu sfidat që paraqet Lindja e Mesme kanë, për fatin e keq të njerëzve që jetojnë atje, edhe komplikime ndërkombëtare.

Thuhet se diku në Anadollin antik, në një qytet jo fort larg Ankarasë së sotme, shkoi perandori i fuqishëm Leka i Madh. Atje një qerre me buaj ishte lidhur keq, një nyje shumë e ngatërruar që ushtarët nuk po e zgjidhnin dot. Leka, i cili nuk kishte kohë të priste, sepse po nxitonte të pushtonte Persinë, u tha ushtarëve të hiqen mënjanë, nxori shpatën e vet dhe e preu litarin e lidhur në nyjën e keqe. Prej asaj kohe gjesti i Lekës ka mbetur si një mënyrë proverbiale për të zgjidhur nyjet e pazgjidhshme. A do të jetë presidenti amerikan Donald Trump një zgjidhës i tillë i nyjes gordiane të Lindjes së Mesme? Të shohim.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button