“Nuk vendosni ju”, deputetët gjermanë kundërshtojnë Escobarin për Kosovën

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përsëriti dje se vendimi për t’ia regjistruar tokën Manastirit të Deçanit është “shumë pozitiv”, raporton Gazeta Sinjali.
Por, ky s’ishte kushti i vetëm që Kosova duhej të plotësonte për të realizuar synimet e saj për anëtarësim. Escobar tha se ai kyç është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha Escobar dje në një intervistë sot për Radion Evropa e Lirë.
E lidhur me këtë, disa deputetë të Bundestagut gjerman kanë dalë njëzëri duke e kundërshtuar këtë deklaratë nga emisari amerikan.
Deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham, ka thënë se vlerëson shqetësimet e Gabriel Escobar, por Asambleja Parlamentare do të vendos në mënyrë të pavarur për kriteret e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe do të vlerësojë përmbushjen e tyre”.
Abrahami i cili është edhe pjesë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka thënë se “ne vlerësojmë shqetësimet e Escobar, por mund ta sigurojmë atë se Asambleja Parlamentare do të vendos në mënyrë të pavarur për kriteret e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe do të vlerësojë përmbushjen e tyre”.
Deputeti gjerman ka thënë se “SHBA-ja s’do t’i përmbushte këto kritere “për shkak të dënimit me vdekje”.
Kundërshtime pati edhe nga deputeti tjetër gjerman, Frank Schwabe i cili i reagoi emisarit amerikan, Gabriel Escobar.
“Me gjithë respektin për të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Këshilli i Evropës po bën të mundur gjëra që të tjerët nuk mund t’i arrinin. Dhe ne do të vendosim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në bazë të rregullave dhe vlerave tona”, shkroi Schwabe në rrjetin social ‘X’.
Edhe deputeti tjetër, Max Lucks, i cili njëherësh është edhe deputet në Asamblenë e Këshillit të Evropës kundërshtoi deklaratat e Escobarit, duke thënë se KiE është institucion i pavarur.
“Këshilli i Evropës është i fortë sepse është i pavarur. Ne do të vendosim në mënyrë të pavarur për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Themeli ynë është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ndalon dënimet mizore siç është dënimi me vdekje e që praktikohet në SHBA”, ka shkruar Lucks në platformën X.
E së fundmi, pati reagim edhe nga kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, i cili kritikoi SHBA-në se po i vendos kritere shtesë Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës.
Ai tha se kjo qasje e pabalancuar ndaj Kosovës duhet të përfundojë.
“Është krejtësisht e pakuptueshme që SHBA vendos ekstra kushte për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Kjo qasje e pabalancuar nga SHBA-ja drejt Kosovës duhet përfundimisht të përfundojë. S’është fer dhe është e padrejtë. Këshilli i Europës dhe shtetet anëtare ulën në ulësen e shoferit – jo SHBA”, tha Roth derisa rishpërndau një postim një kolegu të tij të Bundestagut, Frank Schwabe.



