Njollat e bardha të traumës: Trupi i një fëmije bëhet hartë e frikës në Gaza

Lana al-Sharif ishte vetëm tetë vjeçe kur filloi lufta e Izraelit kundër Gazës.

Nëntëmbëdhjetë muaj më vonë, vajza palestineze njihet tani në kampin e zhvendosjes si “fëmija e moshuar”.

Me flokë të thinjur dhe njolla të bardha në lëkurë, Lana u diagnostikua me vitiligo pasi përjetoi një sulm të rëndë paniku, i shkaktuar nga një sulm ajror izraelit në lagjen e saj në janar të vitit 2024.

Vitiligo është një çrregullim kronik autoimun që shkakton humbjen e pigmentit të lëkurës në zona të caktuara.

“Ajo ishte tmerruar dhe dridhej. Ishte një sulm paniku i rëndë,” tregon babai i saj, Khalil al-Sharif, për Middle East Eye nga tenda e improvizuar ku familja jeton tani në Khan Younis, në jug të Gazës.

“E çuam në spital dhe qëndroi atje një ditë të plotë. U dridh gjithë natën, edhe pasi kishin pushuar bombardimet,” kujton ai.

“Dy ditë pasi u kthyem në shtëpi, dy njolla të bardha iu shfaqën në fytyrë.”

Edhe përpara kësaj lufte, nëntë nga dhjetë fëmijë në Gaza vuanin nga ndonjë formë e çrregullimit post-traumatik (PTSD), kryesisht si pasojë e sulmeve të përsëritura ushtarake izraelite.

Në qershor 2024, UNICEF vlerësoi se thuajse të gjithë 1.2 milionë fëmijët e Gazës kishin nevojë për mbështetje psikologjike dhe për kujdes mendor.

“Flokët i janë thinjur”

Prindërit e Lanës e çuan sërish në spital pasi iu shfaqën njollat e para.

Një mjek i përshkroi pomada dhe medikamente, por gjendja e saj u përkeqësua gradualisht.

“Njollat u bënë më të dukshme në fytyrë, pastaj u përhapën në gjithë trupin. Gjatë gjashtë muajve të fundit, gjithçka u vështirësua – flokët e saj filluan ngadalë të thinjen,” tha babai i saj.

“Prej më shumë se një viti kemi shkuar te mjekët. Ata shpresonin se medikamentet do të ndihmonin, por pa trajtim të duhur – dhe me bombardimet e pandërprera që e lënë Lanën duke u dridhur – gjendja e saj vazhdon të përkeqësohet.”

Midis fundit të janarit 2024 dhe janarit 2025, delegacione mjekësore franceze dhe amerikane patën qasje të kufizuar në Gaza vetëm tri herë, për të ndihmuar ekipet mjekësore vendase që ishin tejmbushur.

Prindërit e Lanës hasën vështirësi për të kontaktuar me delegacionet dhe për të siguruar një takim për vajzën e tyre. Më në fund, ia dolën.

Pas ekzaminimit, mjekët e huaj konfirmuan diagnozën: vitiligo, e shkaktuar nga trauma dhe sulmi i rëndë i panikut.

“Ata thanë se ajo ka nevojë për trajtim të duhur dhe terapi me lazer jashtë vendit nëse dëshiron të ketë një shans për shërim. Por unë kam dështuar në përpjekjet për ta futur në listën e referimeve mjekësore,” tha Khalil.

“Më thanë se Ministria e Shëndetësisë po jep përparësi për pacientët me kancer dhe me zemër, dhe se rasti i vajzës sime nuk konsiderohet aq urgjent sa mijëra të tjerë që presin transferim.”

Sipas Dr. Muhammad Abu Salmiya, drejtor i Kompleksit Mjekësor al-Shifa në Gazë, të paktën 20,000 pacientë dhe të plagosur palestinezë kanë nevojë për trajtim.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), midis 12,000 dhe 14,000 pacientë në gjendje kritike kanë nevojë për evakuim mjekësor jashtë Gazës.

Që nga marsi 2025, të paktën 4,500 fëmijë në Gaza ishin raportuar si në nevojë urgjente për trajtim jashtë vendit.

Megjithatë, që kur Izraeli mbylli pikën kufitare Rafah – e vetmja dalje e Gazës drejt botës përmes Egjiptit – në maj 2024, vetëm rreth 500 raste mjekësore janë lejuar të largohen nga territori.

“Ndërkohë, mjekët përshkruajnë trajtime të përkohshme lokale,” thotë Khalil.

“Por këto janë shumë të shtrenjta dhe shumica nuk gjenden fare në spitale apo farmaci.”

Që nga prilli, Gaza po përballet me mungesë kritike të materialeve mjekësore.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 37 për qind e barnave esenciale, 54 për qind e medikamenteve për kancer dhe 59 për qind e materialeve mjekësore njëpërdorimëshe janë krejtësisht jashtë stokut.

Trauma e përtërirë

Në një përpjekje të dëshpëruar për ta përmirësuar gjendjen e saj, mjekët e referuan Lanën për terapi psikologjike falas, por ajo ka sjellë pak lehtësim.

“Sot, Lana po merr mbështetje psikologjike,” thotë Khalil. “Por vetëm që ta çojmë atje, më duhet të marr borxh për të mbuluar shpenzimet e transportit, që janë rritur shumë për shkak të mungesës së karburantit dhe mungesës së taksive.”

“Që kur u larguam nga shtëpia jonë në Rafah dhe gjetëm strehim këtu, Lana ka qenë shumë e frikësuar për të dalë vetëm nga tenda. Ajo ka frikë nga bombardimet, por edhe nga tallja. Tani ajo duket ndryshe nga fëmijët e tjerë.”

Lana, e vetmja vajzë mes dy vëllezërve, tani kalon pjesën më të madhe të kohës vetëm.

“Ngandonjëherë e gjej duke vizatuar dhe duke qarë. Mundohem të rri me të, të luaj me të, që të mos ndihet vetëm. I them që është më e bukur se shoqet e saj, madje më e bukur se unë – por ajo e di të vërtetën. E di që diçka nuk shkon.”

Duke folur me fjalë të shkurtra dhe të ngurta, Lana i tha MEE se ajo që e dhemb më shumë është ndjesia e të qenit ndryshe.

“Ende kam frikë nga bombardimet. Nuk mund të mësohem kurrë me atë zë. Është i tmerrshëm,” tha ajo.

“Tani jetojmë në një tendë, dhe zhurma e bombardimeve është edhe më e fortë.”

Por ajo që e tremb më shumë është mënyra si njerëzit e shikojnë.

“Njerëzit në rrugë më ngulin sytë. Fqinjët me të cilët dikur luaja më pyesin, ‘pse i ke flokët e bardhë si plakë?’

“Kjo më trishton shumë… dhe qaj.” /MEE/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button